E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet panairi i librit "Prishtina 2011”

Nga Express më 03 maj 2011 në ora 19:30

Unioni i Botuesve të Kosovës (UBK) ka hapur Panairin Ndërkombëtar të Librit “Prishtina 2011", ku nga të pranishmit është vlerësuar lartë kontributi i organizatorëve për organizimin e këtij panairi, i cili do të jetë i hapur nga 3 maj deri më 8.

Edhe pse ishte i ftuar kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa dhe zyrtar të tjerë të Komunës së Prishtinës, ata kanë munguar në ceremoninë e hapjes së këtij panairi.

Kryetari i Unioni të Botuesve të Kosovës, Behgjet Bici ka thënë me këtë rast se ky panair është një mundës që Kosova të afirmohet si një vend i paqes, kulturës dhe i librit.

“Është kënaqësi që sot ndodhem para jush të bëjmë hapjen e Panairit të parë ndërkombëtar të librit “Prishtina 2011”. Panairi ndërkombëtar i librit është një mundësi që Republika e Kosovës të afirmohet si vend i paqes, i kulturës dhe i librit. Do të thotë në këtë panair i kemi prezent afër 100 botues nga hapësirat shqiptare, gjithashtu i kemi disa botues ndërkombëtar”, ka theksuar Bici.

Nga ana tjetër, Qëndrim Gashi ka folur në emër të presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, i cili ka thënë se sot leximit duhet dhënë rol prioritar në arsimin e obligueshëm.

“Leximi është fondament jo vetëm i pasurimit shpirtëror e intelektual, por edhe i një komunikimi të qartë të efektshëm që i shërben zhvillimit të çdo vendi. Sot leximit i duhet dhënë rol prioritar në arsimin e obligueshëm. Komunikimi ynë njerëzor në rastin tonë edhe ndërinstitucional e brenda institucional është i nevojshëm për ta kuptuar e ndihmuar njëri tjetrin, si dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të mira”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se prodhuese e çdo teknologjie është mendja, e prodhuese e çdo mendje është libri.

Ndërkaq, Petrit Ymeri, nga Shoqata e Botuesve të Shqipërisë, ka thënë se është kënaqësi për botuesit nga Shqipëria të marrin pjesë në këtë aktivitet që organizon Unioni i Botuesve të Kosovës.

“Dita e sotme është një gëzim i veçantë, në radhë të parë një gëzim për lexuesit. Ne jemi të kënaqur që në hapjen e panairit këtu shohim shumë të rinj dhe besoj që një gëzim të veçantë do t’i japin këtij panairi të rinjtë dhe të rejat, vajzat dhe djemtë, por edhe intelektualët edhe të gjithë shtresat e ndryshme të qytetit të Prishtinës, që do të jenë në stendat e panairit”, ka theksuar Ymeri.

Ndryshe, në panair janë prezent afër 100 botues nga hapësirat shqiptare, gjithashtu edhe disa botues ndërkombëtar. Panairi do të jetë i hapur nga sot deri më 8 maj dhe po mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›