Hapet shkollë 9-vjeçare në Burgun e Korçës
Të burgosurit e burgut të ri në Korçë tashmë kanë mundësi që të arsimohen. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hapur shkollën 9-vjeçare në ambientet e burgut dhe kanë filluar regjistrimet e para. Sipas informacioneve, janë rreth 31 të burgosur që do të mund të ndjekin gjashtë lëndë. "Sot në IEVP Korçë do të bëhet inaugurimi i hapjes së shkollës së tretë 9-vjeçare në sistemin penitenciar, ku kanë shprehur dëshirën për t‘u arsimuar 31 persona. Si në institucionet e tjera të burgjeve ku aktualisht janë hapur shkolla 9-vjeçare, edhe në këtë shkollë do të jepen 6 lëndë: 1. gjuhë shqipe; 2. edukatë qytetare; 3. matematikë; 4. histori; 5. gjeografi 6. shkenca (kimi, biologji, fizikë)" thanë burimet nga Drejtoria e Burgjeve. Sipas tyre, në bazë të marrëveshjes midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dëftesat do të jepen nga Drejtoria Arsimore e Korçës dhe do të jenë të barazvlefshme me dëftesat e shkollave të tjera. Tekstet mësimore ofrohen falas. "Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po vazhdon bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit për fillimin e procesit mësimor edhe në 2 institucione të tjera, Burrel dhe Rrogozhinë. Është duke u punuar për ndërgjegjësimin e personave me liri të kufizuar që të marrin pjesë në proceset mësimore", thanë burimet nga burgjet.