Me armë në shkollë, plagos shokun e klasës
Një 14-vjeçar nga qyteti i Lezhës është plagosur me armë zjarri nga shoku i tij i klasës. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e shkollës 9-vjeçare "Kosova", kur nxënësit kishin dalë në pushimin e madh. Burime zyrtare nga policia e Lezhës bëjnë të ditur se një nxënës i klasës së 9-të të kësaj shkolle, ka nxjerrë një pistoletë të vogël, prodhim amerikan, për t‘ia treguar shokut të tij të klasës. I mituri ka shkrehur armën, duke menduar se në të s‘ka pasur plumba dhe ka plagosur në bark shokun e tij, M.Markaj. I plagosuri, i cili mësohet të jetë djali i një efektivi të policisë së Lezhës, është dërguar menjëherë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Burime zyrtare nga policia e Lezhës sqarojnë se ngjarja ka qenë aksidentale. I mituri ka hequr dy plumba nga arma, duke mos e ditur se arma kishte pasur tre fishekë në karikator. Ndërkohë, mbeten të paqarta rrethanat se si ka arritur të gjejë armën i mituri, i cili është kapur nga policia dje pasdite.