Hapet sot sporteli i "One Stop Shop" për licencat dhe lejet
Sporteli i "One stop shop"-it për lejet dhe licencat, hapet sot për të gjithë të intersuarit. Qëllimi i formimit të një stacioni të vetëm është që të eliminohen burokracitë e sipërmarrësve nga një agjenci qeveritare në një tjetër. Biznesmenët që kanë nevojë për leje dhe licenca për aktivitetin e tyre, e paraqesin kërkesën e tyre në një zyrë të vetme. Pas vënies në funksionim të "One stop shop"-it për regjistrimin e biznesit dhe suksesit të saj, konsideruar edhe nga faktorët ndërkombëtarë si një ndër reformat më të suksesshme të qeverisë, krahas luftës kundër korrupsionit, informalitetit dhe evazionit fiskal, qeveria shqiptare po vë në funksion një tjetër qendër, këtë radhë për lejet dhe licencat. Deri tani, funksionet e lëshimit të lejeve dhe licencave profesionale dhe për biznes i lëshonin mbi 20 institucione, ku përfshihen ministritë dhe ente të ndryshme. Për shkak të kësaj situate procedurat shoqëroheshin me kosto dhe burokraci në ushtrimin e aktivitetit të bizneseve.
Licencimi është hapi i dytë pas regjistrimit si person fizik apo juridik për krijimin e një enti që do të angazhohet në aktivitete ekonomike. Në përgjithësi janë ministritë, të cilat mbulojnë pjesë të ndryshme të aktivitetit ekonomik në vend ato që lëshojnë licenca. Në kuadër të mirëfunksionimit të kësaj qendre, qeveria ka hartuar edhe ligjin për funksionimin e "One stop shop"-it. Ligji parashikon një afat kohor prej 1deri në 3 ditë për marrjen e një leje apo licence, kur në kuadrin ligjor të deri tanishëm duheshin 30-60 ditë për marrjen e një lejeje apo licence. Me legjislacionin e ri për lejet dhe licencat, do të aplikohet në të gjitha rastet parimi "heshtja është pranim". Edhe vetë biznesi e ka konsideruar "One stop shop"- in një ndërhyrje shumë e dobishme për klimën e biznesit. Por jo të gjitha lejet e licencat mund të përfshihen në "One stop shop", pasi disa prej tyre i nënshtrohen një procesi gare të pashmangshme, siç janë hidrocentralet, por edhe të tjera. Pra, një numër i kufizuar i tyre, për shkak të procedurave që mbartin në vetvete, mbeten si atribut i ministrive.