Nafta "fut" inflacionin në objektiv
Nafta dhe shpenzimet shëndetësore shtrenjtohen për majin. Ulet çmimi i produkteve bujqësore
Inflacioni arrin në 2.1%, duke qenë brenda objektivit të vënë nga Banka e Shqipërisë
Çmimet mallrave dhe shërbimeve në vend kanë nisur të rriten sërish, pas rënies që erdhi si pasojë e uljes drastike që pësuan për shkak të krizës botërore. Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare duket se ka dhënë efekt edhe në Shqipëri.
Pas një periudhe me inflacion në nivele të ulëta, ai po kthehet sërish brenda kufijve të synuar. Inflacioni për muajin maj arriti në 2.1 për qind, duke arritur objektivin për herë të parë që prej janarit të këtij viti.
Megjithëse produktet ushqimore dhe ato bujqësore pësuan ulje, kryesisht për efekte të stinës, shëndetësia dhe transporti ndikuan në rritjen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Krahasuar me muajin maj të 2008-ës, inflacioni është dy herë më i ulët, kur ai shënonte 4.2%, por gjithsesi ai është në rend rritës që nga marsi i këtij viti, kur shënoi normën më të ulët në dy vite, me 1.6%. Tre muajt e parë të këtij viti, inflacioni përjetoi rënie të vazhdueshme.
Në janar ai shënoi 2.1%, në shkurt, 1.9%, në mars 1.6%, më poshtë së kufiri minimal prej 2%, që është vënë si objektiv dhe në prill ai nisi sërish rritjen.
Vetë Banka e Shqipërisë në deklaratën e saj publike ka bërë me dije se ky tregues mund të bjerë përkohësisht nën kufirin e poshtëm të përcaktuar, por pritet të luhatet pranë këtij objektivi në pjesën më të madhe të vitit. Kufiri i inflacionit në vend i përcaktuar nga Banka është 2-4%.
Çmimet
Thuajse të gjithë çmimet e zarzavateve kanë pësuar ulje nga 12 deri në 34 për qind, kjo edhe për shkak të hyrjes masive në treg të prodhimeve vendase.
Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të specave me 34.2 për qind, domateve me 26.6 për qind, patellxhaneve me 22.1 për qind, kastravecave me 12.4 për qind, qepëve të njoma me 7.9 për qind, etj.
Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike kanë pësuar ulje me rreth dy për qind gjatë këtij muaji. Shpenzimet e transportit dhe të shëndetësisë janë ato që kanë dhënë ndikimin e tyre në rritjen e inflacionit për këtë muaj.
Të dy këto grupe gjatë majit të këtij vit kanë shënuar rritje në çmime me 0.4%. Instituti i Statistikavea raporton se gjatë muajit maj çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.6 për qind, dhe çmimi i benzinës 2.5 për qind. Prej disa kohësh çmimi i naftës në tregun e pakicës është rritur me 5 lekë për litër, duke u tregutar mesatarisht me 110 lekë.
Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit në bursat ndërkombëtare, ku aktualisht një fuçi tregtohet me rreth 68 dollarë, nga 37 që tregtohej vjeshtën e kaluar. Shërbimet mjekësore janë shtrenjtuar me 1.1%, ndërkohë që janë rritur edhe çmimet e pajisjeve në këtë sektor.