Rritet eurolibori, shtrenjtohen kreditë
TIRANE- Të gjithë konsumatorët që kanë marrë një kredi në monedhën evropiane euro mund të përballen me një shtrenjtim të saj. Rritja në koston e kredive mund të vijë si shkak i rritjes së Euroliborit, i cili ditët e fundit po përjeton një trend rritës. Eurolibori është një indeks zyrtar, i cili llogaritet si një mesatare ditore e normave të interesit të huave që jepen në euro të negociuara ndërmjet 64 bankave më të mëdha. Në bazë të këtij indeksi bankat e nivelit të dytë përcaktojnë interesat e kredive në vendin tonë. Kështu kreditë që japin bankat kanë një interes Eurolibor plus 3.5 deri në 9%.
Luhatjet e këtij indeksi ndikojnë direkt në koston e kësteve të kredive që duhet të paguajnë qytetarët në sportelet e bankave. Euribori 6 mujor ditën e djeshme arriti në 1.487%, ndërsa 12-mujori 1.672%.
Kreditë në euro zënë peshën më të madhe të kredive të dhëna nga sistemi bankar. Që pas prezantimit të monedhës së përbashkët evropiane kreditimi në euro ka njohur një bum të madh në vendin tonë, duke kaluar 70% të totalit të kredive të dhëna.
Konsumatorët familjarë dhe biznese do të jenë të detyruar të paguajnë këste më të larta. Megjithëse muajt e unfit kreditimi në lekë ka filluar të rritet, sërish euro mbetet monedha e preferuar nga bankat për t'u dhënë si kredi. Ndërkohë edhe kreditimi në lekë vazhdon të shoqërohet me norma të larta interesi, pasi ai llogaritet si Inters i Bonove te Thesarit plus 3-6%. Aktualisht interesi i BTH-ve me afat maturimi 12 muaj është mbi 9%, duke bërë që interesat e kredive të jenë mbi 12%.
EURIBOR (EURo InterBank Offered Rate) është një indeks zyrtar i cili llogaritet si një mesatare ditore e normave të interesit të huave ndërbankare në euro të negociuara ndërmjet 64 bankave më të mëdha.