E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi vrasjen e xhaxhait të Ben Qimes, 21 vjet burg autorit



Gjykata e Fierit dënoi dje autorin e tentativës së vrasjes së xhaxhit të Ben Qimes, Ahmet Isufit, duke e dënuar atë me 21 vjet burg. Ndërsa, tre përkrahësit e tij pas krimit i dënoi me 6 vjet e gjashtë muaj. Vendimi u shpall dje nga trupi gjykues, të cilët kanë proceduar në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të uljes së një të tretës së dënimit, i pandehuri kryesor, Agjelos Sado, i akuzuar për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” më shumë se një herë, të parashikuara respektivisht nga nenet 79/dh e 22 dhe 278/4 të K.Penal, u dënua me 14 vjet burg. Ndërsa tre përkrahësit e tij të pasngjarjes, Jani Gremo, Lulëzim Toçi dhe Emirjon Prishka u dënuan me 3 vjet e 2 muaj burg, ndërsa njëri prej tyre me lirim të menjëhershëm dhe në provë. Referuar arsyetimit të gjykatës, më datë 21.09.2008, dy shtetas grekë të paidentifikuar nga organi i hetimit, por që njëri prej tyre thirrej Jorgo, kanë qenë në shoqërinë e shtetasit Ahmet Isufaj, banor i lagjes “Sheq i Madh” të qytetit të Fierit. Të dy shtetasit grekë i kanë shpjeguar Ahmetit se shtetasi Ajet Sheshi, banor i qytetit të Skraparit, por që aktualisht banonte në Greqi, ku njihej edhe me emrin Spiro, u kishte thënë se pranë tij (Ahmetit) mund të gjenin automjetin tip fuoristradë “BMW-X5”, që atyre u ishte marrë. Nga ana e tij, Ahmeti u ka shpjeguar shtetasve grekë se ai nuk kishte ndonjë automjet të tillë dhe, pas bisedës me Ajet Sheshin, ky i fundit i premton se makinën do ta binte aty një shtetas nga Berati me emrin Eldi. Pas bisedave të mësipërme, shtetasi grek me emrin Jorgo që njihej me të pandehurin Agjelos merr në telefon këtë të fundit rreth orës 19:30 dhe i kërkon që të takoheshin për të pirë një kafe në qytetin e Fierit pranë vendit të quajtur “Autogrilla”. I pandehuri Agjelos, që në ato momente ndodhej në qytetin e Vlorës, niset për në drejtim të qytetit të Fierit me automjetin tip “Benz Mercedes S 320”, me targa TR 7529 P, ku tek “Autogrilla” mbërrin rreth orës 20:00. Fillimisht me të pandehurin kanë marrë takim shtetasi grek me emrin Jorgo dhe dy shtetas shqiptarë, të cilët i kanë kërkuar të pandehurit Agjelos të vinte me ta, dhe të katërt kanë shkuar tek një kompleks dyqanesh në një ndërtesë dykatëshe që ishte pronë e shtetasit Ahmet Isufaj. Ata janë futur në një ambient në katin e parë të ndërtesës, në të cilën ndodhej një tavolinë dhe katër karrige plastike. Brenda në dhomë, përveç Ahmetit dhe dy shtetasve grekë, ndodheshin edhe shtetasit Amarildo Isufaj, që është djali i Ahmetit, Tomorr Jarua, krushku i Ahmetit, si dhe Ismail Grëmi e Gentian Mata, shokë të Ahmetit. Në fillim të bisedës, shtetasi Ahmet i kërkon të pandehurit t’i shpjegonte se kush ishte dhe ku banonte. Nga ana e tij, i pandehuri i ka thënë se shkurt e quanin Daku e se ishte nga Berati, por banonte në Vlorë. Më pas, sipas hetimeve, shtetasi Ahmet Isufi e ka pyetur të pandehurin se çfarë do të bëhej me automjetin që kërkonin shtetasit grekë. Nga ana e tij, i pandehuri Agjelos Sado i është përgjigjur se ky ishte problem mes tij dhe grekëve, duke i kërkuar ta linte të bisedonte ai vetë me grekët.

Përplasja

Ahmeti nuk e ka pranuar sugjerimin e të pandehurit dhe i ka shpjeguar atij, që të bisedonte me Ajetin dhe se makina duhej të vinte patjetër aty. I pandehuri Agjelos nuk e ka pranuar këtë mendim të Ahmetit dhe është ngritur, duke tentuar të largohej, por është penguar nga Ahmeti, i cili e ka kapur atë prej krahu për të mos e lënë të largohej. Midis të dyve kanë filluar shtyrjet me anë të duarve, ku i pandehuri pasi është liruar prej Ahmetit, ka arritur të nxjerrë pistoletën nga çanta e zezë që mbante në duar. Në këtë moment, në drejtim të tij është hedhur, duke i kapur dorën i dëmtuari Amarildo Isufaj, por i pandehuri ka arritur t’i shpëtojë edhe këtij të fundit dhe me pistoletën në dorë ka qëlluar disa herë mbi Ahmetin, por edhe ndaj personave të tjerë, shtetas shqiptarë që ishin aty. Nga shkrehjet e pistoletës, i pandehuri ka arritur të godasë jo vetëm Ahmetin, por edhe shtetasit Amarildo, Tomorr e Gentian. Pas këtyre veprimeve, sipas akuzës, i pandehuri ka dalë me shpejtësi nga ambienti ku ishte dhe është drejtuar tek automjeti i tij, të cilin e kishte parkuar para objektit të shtetasit Ahmet Isufaj. Së bashku me automjetin, i pandehuri largohet për në drejtim të qytetit të Vlorës. Kur afrohet tek vendi i quajtur “Pusi i Mezinit”, i pandehuri hedh armën e zjarrit dhe vazhdon rrugëtimin duke hyrë në qendër të qytetit të Vlorës. Forcat e policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rreth orës 20:30 të asaj nate kanë arritur të identifikojnë automjetin me të cilin po lëvizte i pandehuri në vendin e quajtur “Qafë-Bestrovë” dhe menjëherë janë vënë në ndjekje të tij. I pandehuri ka mundur t’u shpëtojë forcave policore për t’u arrestuar kohë më pas.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›