E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet tenderi për tunelin e Tiranë -Elbasan

04/03/2011  Ofertat elektronike sipas standardeve evropiane. Fituesi brenda dy javësh

U hapën dje ofertat elektronike për ndërtimin e tunelit të Kërrabës në rrugën Tiranë-Elbasan. Ministri Sokol Olldashi njoftoi se në bazë të gjitha procedurave të ligjit të prokurimit publik, është bërë hapja e ofertave ekonomike pranë Autoritetit Rrugor shqiptar, faza e dytë dhe përmbyllëse e tenderit. Nga 26 kompani që morën pjesë fillimisht në tender e zhvilluar më datën 13.1.2011, u përzgjodhën 13 kompani që përmbushnin kërkesat dhe detyrimet e dokumentacionit ligjor të prokurimit, 7 prej të cilave kanë paraqitur oferta ekonomike. “Brenda dy javësh do të kemi fituesin e kësaj procedure”,- tha Olldashi. Në këtë procedurë janë aplikuar standardet teknike të prokurimit të bankave evropiane, ndërsa tenderi i hapur ka bërë të mundur që ofertat ekonomike të jenë shumë të mira. “Nga 15.4 miliardë që ka qenë fondi limit për ndërtimin e tunelit, ofertat variojnë në një ulje që shkon nga 81 për qind e vlerës, oferta më e lartë ekonomike, në 54 për qind të vlerës që është edhe oferta më e ulët”, – tha Olldashi. Ai e cilësoi këtë proces një garë shumë të fortë, duke besuar se do të sjellë të njëjtën cilësi në ndërtimin e këtij projekti të madh të infrastrukturës rrugore. Emrat e kompanive apo elementë të tjerë teknikë nuk mund të bëhen publikë sipas Olldashit, për shkak të respektimit të procedurave ligjore. Brenda një jave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhet të bëjë verifikimin e fundit dhe justifikimin e ofertave që janë në vlerë më të ulët. Pas kësaj janë shtatë ditë në dispozicion të çdo ankimi të mundshëm që mund të paraqitet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›