E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedura e aplikimit për të kërkuar strehim

04/03/2011  Kush janë normat e strehimit dhe niveli i të ardhurave familjare

Kushdo mund të aplikojë për strehim pranë bashkive ku banon. Mjafton që për t’u shpallur fitues të dhënat t’i kenë në përputhje me kërkesat ligjore për pajisjen me banesë nga shteti. Ndaj verifikoni së pari nëse të dhënat janë sipas kushteve mbi gjendjen e strehimit.

Aplikimi

Aplikimi për strehim bëhet pranë bashkisë ku jeni të regjistruar. Ju duhet të plotësoni formularin për fazën e parë të aplikimit. Në këtë fazë, nuk është e nevojshme të dorëzoni dokumentacion verifikues, por vetëm një deklaratë mbi vërtetësinë e të dhënave tuaja. Ju mund të përcaktoni programin ku doni të përfshiheni, si banesa sociale me qira, bonus i strehimit, banesa me kosto të të ulët, apo truall i pajisur me infrastrukturë. Trajtimi juaj me njërin prej programeve varet nëse në bashki ka programe strehimi në zbatim ose jo, nëse programi është i përballueshëm financiarisht për ju ose jo, nga numri i kërkesave që e bën të nevojshëm seleksionimin me sistem pikëzimi. Nëse jeni përzgjedhur në fazën e parë, do t’ju vijë njoftimi nga Bashkia për t’u paraqitur për plotësimin e fazës së dytë të formularit. Në këtë fazë të gjitha të dhënat duhet të jenë të mbështetura me dokumentacion. Nëse nga dokumentacioni rrjedhin fakte të ndryshme nga ato të deklaruara, bashkia mund t’ju skualifikojë. Nëse nuk jeni përzgjedhur dhe keni pretendime mbi procedurën e përzgjedhjes, mund të ankoheni pranë strukturave vendore.

Kush përfiton

Kushtet që mund t’ju çojnë në përjashtim janë gjendja e strehimit do të thotë kur ju nuk dispononi banesë në pronësi dhe banoni me qira, ose në ndonjë formë tjetër, kur dispononi banesë në pronësi, por banoni nën normat e strehimit. Gjithashtu kusht përjashtimi mund të jenë edhe të ardhurat familjare. Niveli maksimal dhe minimal i të ardhurave të familjes përcaktohet për çdo program që zbatohet dhe bëhet publik nga bashkia përpara se të fillojë procedura e përzgjedhjes së aplikantëve. Nëse të dhënat tuaja nuk janë brenda kufijve të normave të strehimit dhe nivelit të përcaktuar të të ardhurave familjare mund të përjashtoheni automatikisht. Sa i përket statusit social është njëri nga statuset e përcaktuar në nenin 5 të ligjit nr. 9232/2004 dhe ky kusht përbën kriter pikëzimi.

Përzgjedhja

Struktura në bashki, siç është Drejtoria e Strehimit, ose sektori i shërbimeve bën evidentimin e aplikimeve që janë dorëzuar. Më pas miratohet sistemi i pikëzimit. Ngrihet Komisioni i Strehimit, në përbërje të të cilit duhet të ketë përfaqësues të shoqatave që mbrojnë interesat e grupeve të veçanta, siç janë jetimë, të verbër, paraplegjik. Komisioni, çdo personi që ka aplikuar për banesa sociale, i vendos pikët e grumbulluara dhe bën radhitjen. Struktura në bashki harton materialin me renditjen sipas pikëve dhe e vendos në një vend të dukshëm për të pritur ankesat. Më pas, lista përfundimtare i kalohet Këshillit Bashkiak për miratim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›