Jug, çmimi i bukës arrin 120 lekë
Produkti bazë i tryezave shqiptare, buka e përditshme, ka pësuar sërish rritje. Nuk bëhet fjalë për bukë me farë, bukë thekre, apo prodhime të tjera brumi të kategorisë së ‘luksit’.
Çmimi është rritur për bukën masive. Kjo ndikon në financat e shqiptarëve në mënyrë të menjëhershme. Fakti sesa bukë konsumojmë çdo ditë, vërtetohet nga shprehja shqiptare, ku vaktin, mëngjesin, drekën, darkën apo zemrën e përkufizojnë me “bukë”. Çmimi i bukës është rritur sërish në qytetin e Korçës. Një bukë 800 gramësh kushton 100 lekë, në dyqanet dhe furrat e qytetit, duke pësuar një rritje të çmimit për të tretën herë radhazi për këtë vit. Shtrenjtimi ka ndodhur paralelisht në të gjitha furrat e bukës, të cilat kanë rritur çmimin për çdo produkt me 10-20 lekë në varësi të peshës. E njëjta rritje në çmim ka ndodhur edhe në qytetin e Pogradecit dhe të Bilishtit, ku një bukë një kilogramë kushton 120 lekë, ndërsa ajo 800 gramë 100 lekë.