Hapet zyra turistike, që "zbulon" Tiranën
Bashkia e Tiranës në kuadër të promovimit dhe nxitjes së vlerave kulturore dhe turistike të qytetit, ka çelur për herë të parë Zyrën e Informacionit Turistik, në shërbim të turistëve vendas e të huaj. Synimi i funksionimit të kësaj zyre është promovimi i vlerave me karakter historik, social dhe kulturor të kryeqytetit që nisin nga një hulumtim kërkimesh dhe nga një studim i dokumenteve dhe dëshmive kulturore, përmes përçimit të vlerave të përbashkëta. Kryebashkiaku Rama në prani edhe të ambasadorit gjerman Bernd Borchardt u shpreh: "Kjo është zyra e parë e turizmit, e standardeve evropiane, që hapet falë ndihmës së miqve tanë evropianë dhe që i hap rrugë një komunikimi të ri me të gjithë vizitorët e qytetit tonë. Sigurisht që është një tjetër hap drejt ndërtimit të Tiranës evropiane dhe nga ana tjetër është dallëndyshja e parë që pas 28 qershorit do të sjellë plot e plot lajme të tjera të mira". Me anë të kësaj zyre kërkohet të favorizohet procesi turistik dhe kulturor përmes njohjes së trashëgimisë kulturore, por edhe përmes veprimeve promovuese. Projekti është realizuar me mbështetjen e GTZ-së . Hapja e kësaj zyre do t‘i shërbejë jo vetëm promovimit të vlerave natyrore e kulturore të qytetit të Tiranës, por edhe promovimit të bizneseve që operojnë në industrinë turistike, pasi tashmë biznesi i tyre do të jetë më i dukshëm dhe më lehtë i arritshëm për turistët. Informacioni mbi restorantet, hotelet, shpërndarje e materialeve ilustruese mbi vendet dhe muzetë për të vizituar në qytet, informacione mbi ekspozitat dhe programet teatrale, panairet, kongreset, tregjet, guidat turistike dhe tregues të tjerë lokalë me interes turistik, do të jenë disa nga shërbimet e kësaj zyre.
Zyra e Informacionit Turistik ndodhet e pozicionuar në qendër të qytetit, mbrapa Muzeut Historik Kombëtar pranë Teatrit të Metropolit. Ajo do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë ditëve të javës nga ora 9:00 deri në 19:00.
Zyra e Informacionit Turistik ndodhet e pozicionuar në qendër të qytetit, mbrapa Muzeut Historik Kombëtar pranë Teatrit të Metropolit. Ajo do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë ditëve të javës nga ora 9:00 deri në 19:00.