Hapet zyrtarisht ambasada e Sllovakisë në Tiranë
Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm, ministri i Jashtëm sllovask, Miroslav Lajçak,dhe homologu i tij shqiptar Ilir Meta. “Kjo është me të vërtetë në ditë historike për Sllovakinë dhe për Shqipërinë. Ne sot po rrisim prezencën tonë diplomatike duke hapur zyrtarisht Ambasadën tonë në vendin tuaj. Ne jemi dy vende mike me një të kaluar të ngjashme dhe një të ardhme të ngjashme. Jeta na ka provuar nevojshmërinë për të patur përfaqësim të drejtpërdrejtë diplomatik sepse kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta”, u shpreh kryediplomati i Sllovakisë. Ai shtoi se priste që Ambasada të shërbejë si urë lidhëse midis dy vendeve dhe popujve tanë. “Pres që shqiptarët të mësojnë më tepër mbi vendin tim dhe sukseset që kemi arritur si dhe qytetarët tanë do të dinë më tepër rreth potencialeve të mëdha që ju ofroni, sidomos në turizëm”, tha Lajçak. “Unë mendoj që ky është një hap shumë i rëndësishëm, duke patur parasysh edhe vetë personalitetin e Ministrit Lajçak, i cili është tashmë një figurë e njohur e diplomacisë evropiane, i angazhuar drejtpërdrejt në sfida shumë të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, sikurse ka qenë në Malin e Zi, apo përfaqësimi i tij i lartë në Bosnje-Hercegovinë”, u shpreh Meta.