Meta: Patriotizmi i vërtetë shqiptar, integrimi evropian i Shqipërisë

Aktivi i madh i LSI-së në Elbasan
Lëvizja Socialiste për Integrim nisi zyrtarisht nga Elbasani fushatën zgjedhore. Para mbështetësve të partisë që drejton, Ilir Meta u shpreh i bindur në fitoren më 23 qershor. “Sot në këtë manifestim dua të përkulem me respekt për atë që populli i Elbasanit ka bërë nëpër të gjithë historinë tonë, për vendin tonë, për kombin tonë, për gjuhën tonë dhe për arsimin tonë kombëtar. Ju me të drejtë e festuat 100-vjetorin e pavarësisë me një krenari të jashtëzakonshme sepse patriotët e Elbasanit me në krye Aqif Pashë Elbasanin e ngritën flamurin këtu në Elbasan disa ditë më parë, para se Ismail Qemali ta ngrinte për gjithë Shqipërinë dhe kombin tonë në Vlorë duke penguar avancimin e hordhive serbe dhe duke mbrojtur rrugën e Ismail Qemalit për në Vlorë, duke u bërë një shembull i sakrificës dhe i vetëmohimit për lirinë dhe për pavarësinë e kombit tonë. Dje u festua 5-vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe sot është momenti që të kujtojmë me respekt, me mirënjohje dhe dashuri të veçantë të gjithë “normalistët” e Elbasanit që u shndërruan si misionarë të gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar, në të gjithë hapësirën e Kosovës, por edhe në Kërçovë, Kumanovë, Tetovë, Gostivar”, u shpreh kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Duke vlerësuar rrugën Tiranë-Elbasan, e cila është duke u përfunduar, si një arritje të jashtëzakonshme, z. Meta tha se të rinjtë dhe qytetarët e Elbasanit meritojnë një të ardhme më të mirë. “Jemi sot këtu për të shprehur angazhimin dhe vëmendjen tonë maksimale për qytetin e Elbasanit, për rrethin e Elbasanit dhe për qarkun e Elbasanit. Të rinjtë e Elbasanit meritojnë një të ardhme më të mirë. Të rinjtë e Elbasanit meritojnë një të ardhme e cila u siguron vende të qëndrueshme dhe cilësore të punës, për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Elbasan, në qytetin e të parëve të tyre, në qytetin që ka me çfarë të krenohet, nga historia, nga kultura dhe nga e kaluara”, vijoi ai. Ndër të tjera, Meta deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim është forcë e së ardhmes sepse ajo i përqendron të gjitha energjitë e saj tek zhvillimi ekonomik i vendit dhe tek rritja e punësimit. “Aleanca jonë më e rëndësishme është me të gjithë ata të cilët duan që Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e integrimit, në rrugën e zhvillimit, në rrugën e progresit dhe ka vetëm një rrugë për të ecur të sigurt drejt progresit, drejt zhvillimit, drejt integrimit që është bashkëpunimi. Ndaj LSI është një forcë për bashkëpunim dhe thekson se domosdoshmëria e bashkëpunimit imponohet nga dashuria për qytetarët e Elbasanit, për qytetarët e Shqipërisë dhe për të gjithë shqiptarët, që Shqipëria të fitojë sa më shpejt statusin që meriton në Bashkimin Europian, që zëri i saj të dëgjohet dhe të respektohet më shumë, që të mos votohen projekte të cilat dobësojnë vendet e reja të punës”, theksoi lideri i LSI-së. Duke komentuar deklaratat e fundit nacionaliste, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri thirrje nga Elbasani që vëmendja të përqendrohet tek problemet reale të shqiptarëve. Sipas tij patriotizmi i vërtetë është integrimi evropian i Shqipërisë. “Në garën e sotme për të konsumuar sa e sa retorika boshe nacionaliste ne u themi të gjithëve se patriotizmi më i mirë nuk është të merremi me të kaluarën. Se patriotizmi më i mirë, se shërbimi më i mirë që i bëjmë Shqipërisë, dinjitetit të saj dhe mbarë kombit tonë është të punojmë realisht dhe konkretisht për integrimin evropian të Shqipërisë. Vetëm kjo rrugë e lartëson dinjitetin e çdo shqiptari dhe shqiptareje, jo vetëm në Elbasan, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku janë në emigracion. Vetëm kjo rrugë e lartëson dinjitetin e shqiptarëve edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Preshevë e kudo qoftë. Shqipëria duhet të jetë një shembull pozitiv për të gjithë shqiptarët në rajon. Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë shembulli më i mirë për të gjithë rajonin i politikës së bashkëpunimit e të integrimit. Kombi më i copëtuar dhe më fatkeq nga Lufta e Ftohtë dhe nga ‘perdja e hekurt’ ishte kombi ynë. Kombi më fatlum nga era e re e integrimeve evropiane dhe euroatlantike është kombi ynë. Prandaj të ecim në drejtimin e duhur, të ecim më shpejt dhe unë kam besim se Elbasani e mbështet plotësisht angazhimin tonë dhe vendosmërinë tonë për të ecur më shpejt në rrugën e bashkëpunimit, integrimit, zhvillimit dhe të punësimit”, përfundoi fjalën e tij në aktivin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan, Lideri i LSI-së, Ilir Meta. I pranishëm në këtë aktiv ishte edhe Sekretari Politik i LSI-së në Qarkun Elbasan, Edmond Haxhinasto, si dhe nga personalitet më të larta të LSI-së.