OKB:Shqipëria vend prodhues i hashashit

Bie konsumi i drogës në të gjithë botën, ndërsa Shqipëria mbetet vendi prodhues i hashashit. Sipas raportit të fundit të Kombeve të Bashkuara vendi ynë, së bashku me Hollandën, Xhamajken dhe Paraguajin prodhojne 25 për qind të nevojës botërore për lëndë narkotike. Megjithatë rëndësia e Shqipërise si vend eksportues i kanabis është reduktuar dhe përdorimi është kryesisht rajonal apo lokal. Sipas raportit të departamentit për substancat narkotike në OKB shqetësues mbetet shtimi i konsiderueshem i prodhimit dhe i konsumit të drogave sintetike, si anfetamina, ekstazi mbi të gjitha në vendet me ekonomi më të zhvilluar. Raporti është prezantuar të mërkurën në Uashington. Studimet e kryera nga OKB kanë arritur në konkluzionin se kërkesa globale për droga si kokainë, kanabis dhe heroinë po stabilizohet dhe në disa raste po bie ndjeshëm. Raporti vjetor i OKB-së për drogën në botë thotë se kultivimi i opiumit në Afganistan ku prodhohej mbi 90% e opiumit në botë ka rënë me rreth 20%. Megjithatë prodhimi i drogës sintetike si ekstazia dhe amfitaminat po rritet, veçanërisht në laboratorë të Azisë Juglindore. Ekspertë dhe zyrtare të OKB-së raportojnë se përveç tregut për drogë të paligjshme, pjesë të Evropës Lindore dhe qëndrore janë rrugë kryesorë të trafikut.