Hapja e dosjeve, PD: Rama, nevojë për katarsis
PD-ja akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama, se përmes kundërshtimeve që po i bën ligjit të hapjes së dosjeve, nuk mbron institucionet, por spiunllëqet e tij ndaj kolegëve dhe trajnerëve të klubit “Dinamo”. Ndaj demokratët këshillojnë kryesocialistin Edi Rama që t’i nënshtrohet katarsisit, që mos të ketë frikë nga hapja e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e komunizmit. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, në emër të partisë së tij, i bëri dje thirrje kryetarit të PS-së, që të shkëputet nga e kaluara e tij dhe të pranojë procesin e pastrimit të zyrtarëve të shtetit. Sipas tij, Edi Rama nuk mbron institucionet, por mbron Kolekët nga dosjet e tyre, që fillojnë nga këneta e Maliqit e përfundojnë deri tek dosja “Bumçi”. Bogdani shtoi se Edi Rama nuk mbron institucionet, por mbron spiunllëqet e tij ndaj kolegëve dhe trajnerëve të klubit “Dinamo”. "PD i bën thirrje të shkëputet nga e kaluara, sepse ka nevojë të domosdoshme për katarsis", - tha Bogdani. Sipas tij, "Edi Rama vazhdoi sërish serialin e tij të akuzave, shpifjeve dhe trillimeve". "Partia Demokratike informon shqiptarët se z. Edi Rama nuk mbron prokurorinë e pavarur dhe pavarësinë e saj, por mbron xhelatët e shqiptarëve, që i kanë lidhur me tela me gjemba dhe kanë urdhëruar zvarritjen publike të tyre në Sarandë e gjetiu", - u shpreh Bogdani. "Partia Demokratike i bën thirrje z. Rama t’u kërkojë të falur, më së paku, të gjithë atyre që u pushkatuan, burgosën apo u varën për bindjet e tyre politike, në aktet finale të të cilave ka firmosur edhe i ati, ose kanë pasur si persekutor politik famëkeqin Spiro Koleka", - tha zëdhënësi Bogdani.