E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli merr garancinë e Francës për NATO-n

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vijuar dje takimet në vizitën zyrtare dyditore në Paris, ku është takuar me autoritetet më të larta të Parlamentit francez. Autoritet legjislative franceze premtuan se Asambleja Franceze do të kalojë sa më shpejt që të jetë e mundur Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Një pritje disi e veçantë iu rezervua kryetares së Kuvendit dhe delegacionit që e shoqëronte nga kryetari i Senatit Gerard Larcher. Ai e ftoi kryetaren e Kuvendit të zhvillonin takimin pikërisht në sallën që kishte shërbyer si zyrë pune për një ndër figurat historike të Francës, Napoleon Bonapartin. Të dy së bashku u zotuan që të lobojnë për një vizitë të shpejtë të Presidentit Sarkozy në Tiranë. “Ne njëkohësisht biseduam për çështje konkrete të aspektit ekonomik. Kemi konstatuar se shkëmbimet ekonomike nuk janë në nivelin e miqësisë dhe mirëbesimit mes dy vendeve. 30 milionë euro nuk janë të mjaftueshme, prandaj ne diskutuam për mjetet dhe mundësitë për përmirësimin e situatës”, - tha Larcher. Topalli tha para mediave se bashkëpunimi mes vendeve do të rritet më tej. “Mora garanci të plota për mbylljen së shpejti të këtij procesi. Franca është një ndër mbështetëset kryesore të Shqipërisë dhe Ballkanit duke kontribuar që rajoni të jetojë në paqe dhe stabilitet. Në këtë kontekst, pas ratifikimit të MSA-së, Franca, shumë shpejt, pritet të ratifikojë edhe Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ashtu siç tha Presidenti, gjetëm jo vetëm mbështetje për Ratifikimin e Protokollit të NATO-s, por Presidenti ishte jashtëzakonisht konkret dhe me një dëshirë e vullnet të mirë për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë në fushën ekonomike, për të qenë konkret në investimet e biznesit francez në Shqipëri”, - tha Topalli. Më pas, kryetarja e Kuvendit u takua edhe me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Açoyer i cili tha të njëjtën mbështetje për Shqipërinë dhe anëtarësimin e saj për në NATO.

Britania dhe Estonia ratifikojnë NATO-n me Shqipërinë

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar miratoi dje në mesditë procesin e ratifikimit të Protokollit të Shqipërisë me NATO-n, një premtim që u mbajt nga Britania e Madhe pas vizitës së kryetares së Kuvendit, Topalli, në Londër. Njëkohësisht, dje Parlamenti estonez ka ratifikuar Protokollin e Shqipërisë me NATO-n me një votim në unanimitet të plotë. Me këto dy ratifikime, Mbretëria e Bashkuar është kështu vendi i pesëmbëdhjetë që ratifikon këtë proces. Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, falënderoi në emër të saj dhe të Kuvendit të Shqipërisë, homologun e saj, zotin Majkëll Martin për mbështetjen që i dha nxitjes së këtij procesi. Jozefina Topalli i dërgoi një letër mirënjohjeje dhe vlerësimi edhe homologes, zonjës Ene Ergma, kryetares së Parlamentit estonez, ku e falënderon për mbështetjen që Parlamenti estonez i dha me këtë votë integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›