Tragjedia e Gjirokastrës, Topi: Të dëmshpërblehen të dëmtuarit
Sa më shpejt dëmshpërblim dhe sistemimin në kushte normale të familjeve të dëmtuara. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i kërkoi dje në mënyrë urgjente qeverisë dhe pushtetit vendor që të sistemojnë familjet, të cilat mbeten të pastreha pas shembjes tragjike të një pallati në Gjirokastër, duke shkaktuar edhe vdekjen e tre personave. Njëherësh, ai bën thirrje për dëmshpërblimin e tyre, si një e drejtë legjitime. Por, kreu i shtetit kërkon dhe zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të tragjedisë së ndodhur në fillim të nëntorit dhe ndëshkimin e tyre ligjor. Sipas zëdhënëses së z. Topi, Mimoza Koçiu, Presidenti i Republikës po ndjek me një shqetësim të veçantë grevën e urisë së banorëve të pallatit të shembur para disa javësh në Gjirokastër, të cilët janë ngujuar në këtë grevë. Kryetari i shtetit ngre shqetësimin se prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemim dhe dëmshpërblim si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre. Presidenti i Republikës inkurajon strukturat e qeverisë dhe të pushtetit vendor, që të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur sistemimin e këtyre familjeve, të cilat kanë të drejtën legjitime për dëmshpërblim dhe për t’u sistemuar në kushte normale. Gjithashtu, Presidenti i Republikës inkurajon edhe një herë vazhdimin e punës së institucioneve përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor. Në ditën e katërt të grevës së urisë, banorët e pallatit të shembur në fillim të nëntorit në lagjen “11 janari” të Gjirokastrës kanë vendosur të ngujohen nën gërmadha. Ata kundërshtojnë dhe e quajnë të padrejtë dhe jokoherent, me shifrat e tregut, vendimin e qeverisë, i cili përcakton skemën e dëmshpërblimit. Sipas skemës që është miratuar nga qeveria, banorët që humbën shtëpitë e tyre, konkretisht apartamente 3 + 1, do të përfitojnë 3.2 milionë lekë bashkë me shifrën 400-500 mijë lekë për orenditë dhe pajisjet shtëpiake. Ata që humbën apartamentet 2+1 do të dëmshpërblehen me 2.4 milionë lekë, plus dhe shifrën 400-500 mijë lekë për orenditë dhe pajisjet. Më 9 nëntor të këtij viti, pallati i ngritur në një kodër në lagjen “11 janari” u shemb pjesërisht, për shkak të punimeve që po ndërtoheshin në një pallat tjetër poshtë kodrës nga firma e ndërtimit “Arti” sh.p.k. Tre persona gjetën vdekjen nën rrënoja, mbi 10 persona u plagosën, si dhe u arrestuan 12 persona si përgjegjës të kësaj tragjedie. Policia Ndërtimore mori vendimin e shembjes së pjesës tjetër të mbetur nga pallati, duke i lënë 13 familje në qiell të hapur.