E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e ambasadorëve në arenën ndërkombëtare e pafalshme

19/12/2008  Deputeti socialist Minxhozi shpreh shqetësimin për emërimet diplomatike

Partia Socialiste përmes deputetit të saj Qemal Minxhozi ka shprehur dje në Parlament shqetësimin e saj për mungesën e emërimeve të ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Deputeti socialist e ka nisur fjalën e tij me mungesën e ambasadorit në Kosovë dhe ka vijuar më tej në vendet e tjera, si Egjipt, Spanjë, Japoni dhe Gjermani. Sipas tij, ky handikap nuk lidhet vetëm me pasojat negative që sjell mungesa e reciprocitetit me shtetet përkatëse, por shumë më gjerë, pra e paguajmë edhe në çështje për të cilat jemi të interesuar, siç është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe lobingu që duhet të bëjmë për këtë vend, në mënyrë që të futet në rrugën e demokracisë. “Shqipëria ndër vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është i vetmi që nuk ka ambasadorë në Kosovë, i cili mungon që nga maj i vitit 2007. Janë 15 vende që në Prishtinë kanë vendosur ambasadorët e tyre dhe mungon emri i Shqipërisë. Kjo është e pafalshme. Është paradoksale dhe nuk është aspak në interesin kombëtar”, - theksoi Minxhozi. Papërgjegjshmëri dhe të pafalshme ai cilësoi edhe mungesën e ambasadorëve shqiptar në vende të tjera, duke lënë të parealizuara marrëdhëniet diplomatike jo vetëm mes vendeve, por edhe përpjekjet për të lobuar për çështjen e Kosovës. “Si është e mundur që ne lëmë dy vjet e gjysmë pa ambasador në Egjipt, një ndër vendet kryesore që po bën lobing që vendet arabe të mos japin pavarësinë e Kosovës? Si është e mundur që një ndër fuqitë më të mëdha në botë siç është Rusia të lihet pa ambasadorë? Gjashtë muaj nuk kemi ambasadorë atje, që kur është kthyer zoti Laço. Dhe e themi se Rusia të zbutet në qëndrimet e saj ndaj Kosovës!” - vijoi ai. Mungesa e ambasadorit në Indi, Spanjë dhe Gjermani për Minxhozin i ngjan një infantiliteti real. “Gjermania është një aleati ynë strategjik. Por në fushën diplomatike ne e injorojmë komplet. Ka një vit pa ambasador, sepse Kryeministri propozoi për një ambasador dhe Presidenti nuk e miratoi këtë. Gjithashtu si sot një vit Presidenti i Republikës ka dekretuar ambasadorin tonë në Japoni dhe nuk ka shkuar sepse nuk e lë Ministria e Jashtme. Cila strukturë ndërkombëtare do të na integronte në BE me këto mendësi e praktika të gabuara, që nuk përkojnë me asnjë të vend tjetër evropian dhe më gjerë?” - përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›