E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mënyra e verifikimit dhe kush preket nga ligji i dosjeve

Pastërtia e figurës së funksionarëve, qëllimi i ligjit të lustracionit

TIRANE – Dy ditë më parë Parlamenti miratoi, ligjin e “Pastërtisë së figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”.
Ky ligj, i cili është huazuar nga modeli i praktikuar nga Çekia për bërjen e lustracionit, ka si qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës të funksionarit lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si dhe në strukturat e ish-sigurimit të shtetit, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 8 dhjetor 1990.

Mënyra e verifikimit të subjekteve
Për të bërë verifikimin, ligji parashikon ngritjen e një Autoriteti të Kontrollit të Figurave, i cili në përbërje të tij, ka 5 anëtarë të cilët propozohen 2 nga mazhoranca, 2 nga opozita dhe kryetari me konsensus. Të majtët kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e një autoriteti të tillë. Pavarësisht kësaj, ligji parashikon dhe rastet kur vendet e mbeten vakant për mungesë propozimesh, Kuvendi emëron anëtarët përkatës me propozime të ardhura nga shoqëria civile. Veprimtaria e autoritetit parashikohet të zgjasë deri në 31 dhjetor të 2014-ës.
Autoriteti Shtetëror i Kontrollit të Figurave, fillon një proces verifikimi, për të gjithë subjektet nga Presidenti i Republikës deri tek çdo person i dekretuar nga Presidenti i Republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi përfshirë këtu anëtarët e KLD-së, si dhe gjyqtarë dhe prokurorë të të gjitha niveleve.
Në rastet kur ka një kërkesë nga krerët e institucioneve për funksionarët publikë si dhe me kërkesë të vetë subjektit, që kandidon në mënyrë të pavarur në një proces zgjedhor.
Në përfundim të këtij procesi, kur subjekti i verifikuar rezulton i pastër, atëherë ai pajiset me një dëshmi të pastërtisë së figurës morale po e njëjta procedure ndiqet dhe për personat që rezultojnë me dosje. Këta të fundit kanë të drejtë apelimi përveçse pranë Autoritetit edhe në të gjitha nivelet e gjyqësorit.
Në rastet e personave që rezultojnë të përfshira në veprimtaritë që janë të parashikuara si pjesë e dhunës së regjimit komunist dhe japin dorëheqjen nga funksionet publike, dëshmia e verifikimit arkivohet në dosjen e tij dhe mbetet konfidenciale ndërkohë që në rastet kur nuk dëshiron të japë dorëheqjen atëherë, brenda 10 ditëve që është informuar për vendimin e Autoritetit, përfundon marrëdhënia e tij e punës, me motivacionin, Padenjësi e figurës së funksionarit.
Në kuadër të transparencës me publikun, autoriteti krijon një regjistër elektronik me të gjitha rastet e verifikuara, informacion që përditësohet çdo javë.

Kush preket nga ky ligj
Në bazë të ligjit të sapo miratuar në Kuvend, ish- anëtarët ose kandidatët e Byrosë Politike ose te Komitetit Qendror të PPSH-së, ish-kryetarët e Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Përgjithshëm, Hetuesisë së Përgjithshme; ish-ministrat dhe zëvendësministrat e Punëve të Brendshme, çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit; i dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit ose për veprat penale të shpifjes të kallëzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në procese politike ose bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit, ish-anëtarët e Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve; hetues, prokurorë ose ndihmësprokurorë, gjyqtar apo ndihmësgjyqtarë në procese politike si dhe denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike, duhet që të lenë menjëherë detyrën që mbajnë aktualisht në administratën publike për shkak të papajtueshmërisë së funksioneve.
Ndërkaq subjekt i verifikimit të figurës sipas nenit 3 janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme ku përfshihet Presidenti i Republikës së Shqipërisë;  deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore qendrore ose të pavarura; anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve; funksionarë të lartë të Presidencës, të administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në shkronjën “c”; guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë; funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”; prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku; në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe çdo shërbim tjetër inteligjent; në Gardën e Republikës; funksione drejtuese në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati; drejtuesit e përfaqësive diplomatike anëtarët e Akademisë së Shkencave, rektorët, zëvendësrektorët dhe dekanët në universitetet publike, si dhe drejtorët e gjimnazeve dhe shkollave të mesme tekniko-profesionale si dhe “çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›