Obama: Ka mbaruar koha e lojrave, duhet të miratojmë reformën e shëndetësisë
Në fjalimin e mbajtur përpara Kongresit Amerikan, Presidenti Barak Obama bëri thirrje për reformimin e sistemit shëndetsor. Siç theksoi numri një i Shtëpisë së Bardhë, koha e polemikave dhe e lojërave ka marrë fund, duke kërkuar kështu miratimin e platformës së tij. Obama tha se propozimet për reformën, që përllogaritet të kushtojë 900 miliardë dollarë gjatë një periudhe 10 vjeçare, do të sjellin siguri e qëndrueshmëri për personat e siguruar dhe do të bëjnë të mundur që dhjetra milionë amerikanë, të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë sigurim shëndetësor të sigurohen nëpërmjet një sistemi konkurues mes kompanive private. Republikanët nga ana e tyre, duke e lavdëruar presidentin për oratorinë e tij, thane se ai nuk arriti të japë hollësi rreth propozimeve të veta dhe ritheksuan kritikat se propozimet e demokratëve do të përbënin një taksë të re të rëndë për amerikanët dhe bizneset e vogla, si dhe do të shtonin defiçitin buxhetor. Deri tani, tre komisione në Kongres kanë miratuar variante të reformës në kujdesin shëndetësor, të cilat do të shkrihen në një ligj të vetëm.