Hapja e kutive, PS-ja do të kërkojë interpretimin e vendimit nga Komisioni i Venecias
Eneida Jaçaj
Gjatë kësaj jave, priten të tjera takime për transparencën e zgjedhjeve mes dy negociatorëve, kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Mendohet se gjatë bisedimeve, Ruçi do të kërkojë që Presidenti Bamir Topi ose Kuvendi t’i dërgojnë një kërkesë Komisionit të Venecias për interpretimin e vendimit për hapjen e kutive. Megjithatë, funksionimi i komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 do të mbetet për në muajin në shtator, në sesionin e ri parlamentar.
Kompromisi
Takimi i parë “kokë më kokë” mes Patozit dhe Ruçit, përveç shprehjes së vullnetit të dyanshëm dhe vënies së piketave për çështje që edhe më parë ishte shprehur dakortësia publike, solli asgjë të re për thelbin e mosmarrëveshjes, trajtimin e fletëve të votimit nga komisioni hetimor. Gjithsesi, u ra dakord që drejtimin e komisionit hetimor ta ketë opozita dhe lidhur me këtë, në takimet që do të pasojnë, do të gjehen modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakortësi politike të garantohet ligjërisht. Gjithashtu, u ra dakord që objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore dhe se të gjitha institucionet shtetërore, KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që PS-ja i parashtron komisionit që mund të ngrejë Parlamenti, të jenë të detyruara që t’i përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh. Kreu i Grupit të PS-së, sqaroi se objekt hetimi do të jenë të gjitha materialet që përmban kutia e materialeve zgjedhore të administruara nga KQZ-ja. Ai tha se deri në zgjidhjen e plotë kësaj çështjeje, marrëdhëniet e opozitës me Kuvendin do të vazhdojnë të jenë të kushtëzuara. Ndërsa sipas Patozit, PD-ja është dakord për ngritjen e komisionit, por hetimi do të bëhet duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Materialet zgjedhore
Në nenin 99 të Kodit Zgjedhor, nëpërmjet dispozitave të qarta përcaktohen materialet zgjedhore. Në bazë të këtij neni, në “materialet zgjedhore” përfshihen: numri i nevojshëm i fletëve të votimit në përputhje me numrin e zgjedhësve të regjistruar në atë qendër votimi, së bashku me fletët shtesë; vulën e KQV-së; procesverbalet e qendrës së votimit, ku bëjnë pjesë edhe formularët tip të procesverbaleve dhe të vendimeve për vulosjen e kutive të votimit, hapjen e qendrës së votimit, pezullimin e votimit, kërkimin e ndihmës së policisë dhe të largimit të saj, si dhe mbylljen e votimit; librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-së; zarfin në të cilin është shënuar “Fletë votimi të dëmtuara”; zarfin në të cilin është shënuar “Fletë votimi të papërdorura”; zarfin në të cilin është shënuar “Zarfi i procesverbalit të vulosjes”; dhe lëndën e posaçme për timbrimin e zgjedhësit dhe aparatin verifikues të saj. Materialet e renditura më lart përbëjnë atë që quhet “material zgjedhor”, që pritet të hetohen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Takimi i parë
Gramoz Ruçi
“Së pari, të dy palët ranë dakord për domosdoshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, sa më shpejt të jetë e mundur brenda këtij sesioni parlamentar dhe ky komision të jetë i ri, jo në vazhdim i atij vendimi të mëparshëm të parlamentit. Së dyti, të dy palët ranë dakord që mazhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë në takimet që do të pasojnë të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakordësi politike të garantohet ligjërisht. Së treti, ramë dakord që objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore. Së katërti, ramë dakord që të gjitha institucionet shtetërore KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që unë i parashtroj komisionit që mund të ngrejë parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që ti përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh. Dhe së fundi ramë dakord që të jetë objekti i diskutimit të takimeve që do të pasojnë gjetja e modaliteteve për trajtimin e kutive të fletëve të votimit.”
Astrit Patozi
“Nuk kemi rënë dakord, apo ka patur pikëpamje shumë të ndryshme lidhur me objektin e hetimit të këtij komisioni, temë e cila besoj që do të mbetet në negociatat e ardhshme. I bëra të qartë zotit Ruci që kjo mazhorancë është për respektimin e plotë të shtetit ligjor, të Kushtetutës, të ligjit të vendit dhe vetëm brenda marxhit të këtyre hapësirave ajo është gati të pranojë cdo lëshim dhe çdo pretendim të opozitës. Opozita ka në dispozicion dy rrugë dhe kjo është publike tashmë prej nesh. Së pari, ajo duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo e fundit Komisionit të Venecias për të dhënë një mendim lidhur me pretendimin e saj për hapjen e kutive të votimit. Ne jemi plotësisht dakord ta presim verdiktin e këtij institucioni. Opozita ka një rrugë tjetër, në rast se nuk i premton koha dhe nuk e dëshiron rrugën e parë ne jemi gati të nisim që sot ngritjen e një komisioni hetimor që të marr parasysh që të ketë objekt të tillë materialet zgjedhore por sigurisht duke respektuar kodin elektoral në Shqipëri që ekskludon apo që djeg kutitë e fletëve të votimit. Ne nuk mundemi në asnjë mënyrë që të lexojmë gjysmën e një neni dhe të mos pranojmë gjysmën tjetër".
20 Korrik 2010