Balla: “Meta e Berisha të tregojnë sa kushton pazari mes tyre për koalicionin qeverisës”
Deputeti socialsit Taulant Balla ka lëshuar gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend akuza kundrejt kryeministrit Berisha dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Ai i ka bërë thirrje dy krerëve të qeverisë t’i tregojnë shqiptarëve se sa ka kushtuar pazari i bërë mes tyre për koalicionin qeverisës. Më tej Balla e ka cilësuar qeverunë si një “anije hajdutësh” e përbërë nga njerëz të akuzuar për vrasje. “I kërkoj Berishës e Metës të ishin në sallë e të na bëjnë publike një gjë të rëndësishme: Sa e keni këtë pazar që keni bërë me njëri - tjetrin? Sa i kushton qytetarëve ky Pazar, se ashtu siç e keni nisur, vitin tjetër mund të përfundojmë pa buxhet”- është shprehur Balla. “Një gjë është e rëndë zotërinj deputetë të maxhorancës. Jeni duke qëndruar në një anije me disa hajdutë. Jeni duke qëndruar në anije me njerëz të akuzuar për vrasje”,- është shprehur ai duke akuzuar ministrat e kabinetit qeveritar. Më pas Balla i është referuar një artikulli të një gazetari italian që shkruante se qeverisja në Shqipëri është një vazhdim jashtë Italisë i filmit oktapodi. “Me qeverinë e sotme të Shqipërisë e ke mjaft të lehtë të gjesh se kush është Tano Karidi. Nuk është në sallë, thonë që është sëmurë, Sali Berisha. Të gjesh Spinozën, Ilir Mertën, por edhe senatori Salimbeni apo dhe Santucon. Është e dhimbshme por e vërtetë, kjo është qeveria e oktapodit të Saliut”, - është shprehur Balla.
Braçe: “Ekonomia tregon krizë, shqiptarët më të varfër”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erjon Braçe gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare u shpreh se vendi ndodhet në krizë të thellë ekonomike dhe se shqiptarët po jetojnë në varfëri. “Ekonomia reale tregon krizë, kriza ka mbërritur në buxhet dhe po përjetohet si varfëri, mes shumë faktorëve mungesa e lirisë ekonomike është themelore. Shqiptarëve u thuhet përditë se janë të lirë por nuk është kështu, liria ekonomike është përthyer teorikisht për çdo qytetar. Përfitimet ekonomike që një njeri ka, do të varen gjithnjë e më tepër nga burimet që ai zotëron apo disponon, mundësitë që ai ka për t’i përdorur si dhe nga kushtet e shkëmbimit ku funksionimi konkurues i tregjeve është jetik. Tregu është i kapur dhe kriza buron këtu”, - është shprehur Braçe ndërsa akuzoi qeverinë për centralizim të burimeve ekonomike. “Burimet ekonomike kombëtare administrohen ekskluzivisht e në mënyrë të korruptuar nga qeveria apo jepen në mënyrë të korruptuar në një grusht njerëz, klient politike të saj, të njëtët që kontrollojnë në kushte monopoli dhe oligopoli tregjet me fitimprurëse”, është shprehur Braçe. Duke iu referuar buxhetit ai konstatoi se qeveria nuk koherente me shifrat që përdor. “Qeveria i bën llogaritë gabim, po sfidon ekonomine reale; thotë se rritja do të jetë 4.1%, ndërkohë që dhe me optimistët e FMN thonë 2.3-2.6%! Qeveria do të vij sërish këtu, të shkurtojë të tjera shpenzime, në shtator! Rruga tjetër është të marrë edhe më shumë borxh”, - është shprehur Braçe.
Tahiri: “Buxhet krize për shqiptarët që s’kanë para të paguajnë faturat”
Edhe deputeti tjetër i PS-së, Saimir Tahiri e ka cilësuar buxhetin, një tjetër buxhet krize për qytetarët e thjeshtë, të cilët sipas tij nuk kanë para të paguajnë faturat.
“Është buxhet krize për qytetarët e thjeshtë, të cilët nga faturat e energjisë tashmë të papërballueshme dhe kompensimin qesharak, nga faturat e ilaçeve, të ushqimeve e të çdo gjëje tjetër, e deri të rrogat e pensionet e pamjaftueshme, zhyten në krizë përditë e më shumë. Është kjo qeveri që dorovit 4 milion euro vetëm për një koncert të Partisë e Çiljetës, miliona të tjerë për qeranë e shtëpisë në Shkodër të Kryetares së Kuvendit, për zyrtarët e ministrive që makinën e shoferin për vete e familjen e përdorin akoma megjithëse ndalohen me ligj, është kjo qeveri që shërbehet për vete e rrënon një popull të tërë. Është buxhet krize për sipërmarrësit privatë, të cilët po falimentojnë duke nxjerrë njerëzit në rrugë të papunë, po zhyten në borxhe e po kthehen në piramida të vockla që herët a vonë do groposen vetë e me gjithçka kanë rrotull. Është buxhet krize edhe për institucionet e pavarura kushtetuese të cilat nga shkurtimet e buxhetit jo vetëm që janë të kërcënuara në funksionalitetin e tyre por kthehen në institucione që do vegjetojnë pa asnjë lloj eficencë. Është buxhet krize për Gjykatat, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve, për Avokatin e Popullit, që duhet të kenë mjete të mjaftueshme financiare për të garantuar funksionalitetin dhe eficencën e tyre të pavarura nga presioni politik i qeverisë e maxhorancës”, - është shprehur Tahiri.
20 Korrik 2010