E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e kutive, opozita "harron" ligjin

Ligji për hapjen e kutive të votimit është lënë mënjanë. Prej disa ditësh partia kryesore e opozitës nuk artikulon më në publik nismën e ndërmarrë pak kohë më parë për hartimin e një projektligji, i cili do t‘i shkonte Kuvendit të Shqipërisë si propozim i qytetarëve. Kryesocialisti Edi Rama pati deklaruar se është grumbulluar numri i nevojshëm i firmave që kërkohen sipas ligjit për të konkretizuar nismën. Duket se projektligji po ruhet deri tani për t‘u përdorur në një moment të mëvonshëm, por askush në Partinë Socialiste nuk di të thotë se kur do të depozitohet në Kuvend. Që pas protestës së 20 nëntorit dhe vendosjes së afatit 10-ditor për reflektim, socialistët ndryshuan strategjinë. Përveç hapjes së kutive, që nga fillimi i dhjetorit ata po kërkojnë gjithnjë e më fort kalimin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Veprim që ka shkaktuar me sa duket lënien në plan të dytë të kësaj nisme të rëndësishme. Projektligji i bërë gati synonte hetimin e shkeljeve të ligjit gjatë zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 nëntor 2009. Ky ligj ka për qëllim hetimin e shkeljeve të ligjit dhe pretendimeve publike për shkelje të ligjit, nga ana e institucioneve shtetërore apo personave të përfshirë zyrtarisht në administratën zgjedhore, si dhe krijimin e institucioneve të përkohshme që ngarkohen për drejtimin dhe administrimin e këtij procesi. Objekti i hetimit të këtij ligji është hetimi i akuzave dhe pretendimeve publike të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave. Kërkohej hetimi i pretendimeve dhe akuzave për proces të parregullt votimi në disa qendra votimi. Një tjetër pikë ishte hetimi i administratës së KQZ-së në lidhje me dështimin apo mangësitë e shfaqura në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave. Socialistët dëshironin hetim të akuzave publike për përdorim të aseteve publike, si dhe administratës shtetërore të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore dhe hetim të akuzave për presione për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo çdo enti publik, për shkaqe që lidhen më fushatën zgjedhore, të kryera gjatë periudhës 29 maj-28 qershor 2009, si dhe periudha e menjëhershme pas saj. Drafti parashikonte hetimin e rasteve të dhënies së lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, në kundërshtim me ligjin nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj-28 qershor 2009, si dhe çdo shkelje tjetër që lidhet me procesin zgjedhor duke mos u kufizuar vetëm në çështjet e përmendura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›