E Diel, 1 Nëntor 2026

REVOLUCIONI I GJELBER DHE SAMITI I KOPENHAGENIT

Zhvillimet dhe vendimet që priten të merren në samitin "Mbi Ndryshimet Klimaterike" që po zhvillon punimet në Kopenhagen {pas një pune të gjatë përgatitore dhe debate të shumta për arritjen e konsensusit të pritshëm në të, të cilat kohët e fundit kanë konverguar në diskutim dhe propozime për rrugëzgjidhjet e kësaj sfide në Samitin SHBA-BE, në Washington (3-4 nëntor 2009), deri në Takimin e Ministrave të Financës të G-20 të zhvilluar në St.Andrews Fife-Skoci (6-7 nëntor 2009) e më pas}, përbëjnë një hap vendimtar. Bëhet fjalë për zgjidhjen e një prej problemeve më të rëndësishme që shqetësojnë globin që nga fundshekulli i kaluar, atë të ngrohjes globale. Tashmë nuk ka më dyshim se bota ndodhet përballë një revolucioni të ri, atij të gjelbër. Po përse gjithë ky shqetësim dhe angazhim për vendimmarrje? Çfarë ka ndodhur? Çfarë do të sjellë ky revolucion? Pse tani?
Le të kthehemi pesë vjet më parë...
BOTA ESHTE E SHESHTE
Kur Thomas L.Friedman (tre herë fitues i çmimit "Pulitizer Prize" për punën e tij si publicist dhe analist në "New Jork Times"), pesë vjet më parë, botoi librin e tij të shumëlexuar në të gjithë globin, "Bota është e Sheshtë" ("The Word is Flat"/2005), jo vetëm ai si autor, por të gjithë lexuesit e tij, kudo dhe kushdo, njerëz të thjeshtë apo jo, publicistë e analistë, studiues apo shkencëtarë, politikanë apo qeveritarë, po bindeshin se zhvillimet globale po ecnin me shpejtësi të madhe dhe se përballja me ngjarje dhe fenomene të reja ishte e pashmangshme. Në thelb, me tezën "Bota është e sheshtë", Friedman nuk mendonte dhe nuk nënkuptonte faktin që fizikisht bota është e sheshtë dhe se të gjithë njerëzit e globit, ekonomikisht, ishin bërë të barabartë!? Përkundrazi, ajo që duhej kuptuar ishte fakti se kombinimi i zhvillimit teknologjik, tregut dhe ngjarjet gjeopolitike, në fundshekullin e kaluar po e çonin zhvillimin e ekonomisë globale në rrugë dhe nivele të tilla zhvillimi, ku angazhoheshin më shumë popuj se kurrë, nga shumë anë të globit, duke i bërë ata pjesëmarrës dhe përfitues, ose jo, të këtij zhvillimi. Natyrisht, të qenit e faktit "Bota është e Sheshtë" (mbase ne shqiptarët do të kishim dëshirë të thoshim "Bota është me rrota"), Friedman në këtë libër e shpjegon me ndikimin e një sërë faktorëve që lidhen kryesisht me zhvillimin e vrullshëm teknologjik, me nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të kompjuterizimit dhe të internetit, work flow revolucion (ndërveprimi kompjuterik i shpejtë), kolapsin e komunizmit dhe rënien e Murit të Berlinit dhe përfshirjen e këtyre vendeve në jetën demokratike dhe të tregjeve globale etj. Por në atë kohë (pesë vjet më parë) nuk kishte ndodhur kriza ekonomike e financiare globale, me gjithë pasojat ekonomike, sociale të saj dhe përpjekjet e shumëfishta për ta përballuar e kapërcyer atë.
Gjatë këtyre pesë viteve, refleksionet për zhvillimet ekonomike globale dhe problemet shqetësuese me të cilat po ndeshet e përballet ky fenomen, ishin të shumta, nga më të ndryshmet. Në këtë kontekst, edhe Friedman (padyshim dhe shumë autorë të tjerë) i ftoi lexuesit e tij që shtoheshin vazhdimisht, të bëheshin pjesë e njohjes dhe zgjidhjes së problemeve më aktuale që shqetësojnë realisht zhvillimin e ekonomisë globale. Këtë e bëri duke ju ofruar botimin e tij të ri, të fundit:

E NGROHTE, E SHESHTE DHE E MBIPOPULLUAR (NE MENYRE JO TE RREGULLT)
(Përse duhet revolucioni i gjelbër dhe si të mund ta rinovojmë Amerikën/2009)

Zhvillimet globale të kohëve të fundit dhe kriza e thellë që po kalon ekonomia globale nxorën në dukje dhe dëshmuan, veç të tjerash (kriza e madhe ekonomike, recensioni, falimentimi i bankave dhe tronditjet e tregjeve financiare, rritja e papunësisë në Amerikë e vendet e BE-së etj.), se dy faktorë shumë të rëndësishëm (dy mënyra fondamentale) po ushtrojnë një ndikim të fortë në zhvillimet e planetit tonë:
1-NGROHJA GLOBALE
Fundshekulli i kaluar nxori në pah përballjen me një nga sfidat më të mëdha të së ardhmes, atë të ndryshimeve klimaterike që është pagëzuar me emrin "ngrohja globale". Pasojat e tashme, dhe sidomos ato të së ardhmes, për globin tonë, sfida e përballjes me to dhe rrugëzgjidhjet që duhen dhënë, prej vitesh kanë vënë në lëvizje mendimin më të zhvilluar shkencor dhe akademik, teorik dhe praktik, inovator dhe teknologjik, suksesi i të cilave varet në një shkallë të lartë nga largpamësia dhe mbështetja politike, qeveritare, institucionale (institucione ndërkombëtare, bashkime dhe grupime shtetesh, iniciativa liderësh politikë botërorë dhe bashkëveprime mes tyre, nisma, iniciativa, samite, vendime e deklarata të tyret) e veçanërisht hartimi dhe zbatimi i programeve dhe projekteve madhore dhe mbështetja e fuqishme financiare për realizimin e tyre. Dy-tre vitet e fundit, vëmendja kushtuar kësaj çështjeje globale është rritur me shpejtësi duke u shndërruar në një shqetësim të madh dhe, samit pas samiti, ja ku erdhëm në Samitin e Kopenhagenit, të cilin do ta ndjekin për më se 10 ditë përfaqësues të 192 shteteve, mbi 140 liderë të shteteve të botës dhe mbi 15000 pjesëmarrës, shkencëtarë, ekonomistë, ambientalistë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, të agjencive, instituteve kërkimore shkencore, përfaqësues të mediave etj.
2-RRITJA GLOBALE E POPULLSISE
Gati pesëdhjetë vjet më parë, planeti ynë kishte një popullsi prej rreth 2.7 miliardë njerëzish, sot popullsia është rreth 6.7 miliardë, rreth 50 vjet më vonë pritet që popullsia e botës të jetë rreth 9 miliardë njerëz.
Duke qenë se shumica e kësaj rritjeje vjen në vendet e pazhvilluara dhe mosha mesatare e saj do të jetë shumë e re (mbipopullim i çrregullt i globit), vende këto ku dhe sot qeverisen jo mirë dhe me vështirësi, atëherë ky fenomen, nëse nuk sigurohen liritë dhe plotësimi i nevojave bazë (ushqim, banim, edukim, punësim), mbart rrezikun e dhunës, turbullirave sociale dhe ekstremizmave. Natyrisht, kur kriza ekonomike e financiare globale të kalojë dhe çështja e tronditjes së bankave dhe tregjeve financiare të mos përmendet kaq shumë, me siguri këto dy çështje dhe problemet që mbartin ato do të kuptohen më mirë. Dhe kjo periudhë tashmë po vjen. Planeti ynë është përballë ngrohjes globale, sheshtësisë globale dhe rrëmujës globale (popullsisë), që i jep formën më dinamike botës në të cilën ne jetojmë. Prandaj vjen e bëhet më i domosdoshëm një revolucion i gjelbër, duke e vënë botën përpara një situate ECO-FRIENDLY dhe duke i paraprirë një revolucioni të ri industrial. Pse?
Kjo sepse ndërgjegjësimi në rritje ndaj të ardhmes së zhvillimeve globale i ka bërë analistët dhe shkencëtarët, politikanët dhe qeveritarët, grupimet më të mëdha ekonomike dhe institucionet e tyre, liderët e vendeve më të zhvilluara të fillojnë të mos e konsiderojnë më veten e tyre si pasardhës të "postkolonive", "të post luftës", "të post luftës së ftohtë", "të post, post luftës së ftohtë" etj., epoka këto të rëndësishme, por që nuk shpjegojnë më asgjë në lidhje me atë ku globi ndodhet sot, dhe çfarë probleme duhet të zgjidhë. Bota, thotë Friedman, nuk duhet menduar që ndodhet pas diçkaje, por që është para diçkaje, totalisht të re, bota ku ne po hyjmë është: Epoka Energji-Klimë. Shumë gjëra po ndryshojnë me shpejtësi dhe njëkohësisht në shumë fusha që nuk imagjinohen.
Është kjo arsyeja që në këtë libër, E Ngrohtë, E Sheshtë dhe E Mbipopulluar (në mënyrë jo të rregullt) ai fokusohet në pesë probleme kyçe të zhvillimeve të sotme globale:
1-Ndryshimet e vazhdueshme (negative) klimaterike-Ngrohja Globale
2-Kërkesa në rritje për burimet natyrore energjetike që po rrallohen
3-Thellimi i varfërimit energjetik (ndarja e vendeve të globit në vende me dhe pa energji)
4-Një transferim masiv i pasurive në vendet e pasura të naftës dhe te petro(l) diktatorët e tyre.
5-Përshpejtimi i humbjeve të biodiversitetit
Dhe me sa duket, Friedman, edhe me këtë botim, goditi përsëri në "shenjë". Pikërisht atje ku asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë mendje, për të diskutuar dhe të arrijnë konsensus e të marrin vendimin e duhur, atje ku zhvillohet...
SAMITI I KOPENHAGENIT
(Revolucioni i Gjelbër për t‘i thënë lamtumirë krizës globale)
Fjala është për Konferencën e OKB-së (Samitin) për ndryshimet klimaterike, e cila filloi më 7 dhjetor në Kopenhagen. Ajo u hap nga zoti de Boer, Sekretari i Përgjithshëm i Konventës së OKB-së për Klimën, e që e filloi fjalimin e tij duke lexuar dëshminë e një fëmije 6 vjeç nga Azia, viktimë e një stuhie që i vrau prindërit e tij dhe vëllain e tij të vogël.
Duke mbajtur në konsideratë deklaratën e Samitit të muajit të kaluar, SHBA-BE dhe atë të samitit të Ministrave të Financave të G-20, për reduktimin e gazrave të dëmshme për globin nga të gjitha vendet, veçanërisht nga ato të zhvilluara dhe në zhvillim, zoti de Boer u bëri thirrje përfaqësuesve të 192 vendeve të fokusohen "në propozime të fuqishme dhe të dobishme, në mënyrë që të mundësohet veprimi i shpejtë kundër ndryshimeve klimaterike". "Vendet në zhvillim janë duke pritur për mjaft hapa konkretë dhe të menjëhershëm" për të reduktuar gazrat që shkaktojnë ngrohjen globale dhe për t‘i përshtatur vendet e tyre në kushtet e reja klimatike, theksoi zoti de Boer. Ndërsa Kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen, mikpritësi i këtij samiti, tha se për dy javët e ardhshme, "njerëzimi ka depozituar shpresat" në konferencën e Kopenhagenit.
Dhe me të drejtë, sepse: "Ndryshimi i klimës nuk njeh kufij. Nuk bën diskriminime. I prek të gjithë. Dhe në qoftë se në këtë samit është ky numër rekord pjesëmarrësish, kjo ndodh sepse shpresa për të vepruar sot është më e madhe se kurrë. Janë këto arsyet që marrëveshja që pritet të marrë konsensusin dhe do t‘u kërkohet të gjithë krerëve e shteteve të nënshkruajnë, do të jetë me të vërtetë historike në zhvillimet e ardhshme globale. Ajo (në qoftë se do të marrë konsensusin dhe do të miratohet?!, pasi ende ka shumë pikëpyetje e skepticizëm), do të ndryshojë deklaratën e Doha-s, e cila realisht nuk u zbatua asnjëherë (për shkak të mosfirmosjes-mospranimit të saj nga SHBA). Vetëm një konsensus i gjerë për këtë çështje kaq të rëndësishme (fakti që Presidenti i SHBA-së, Obama, do të marrë pjesë në këtë samit me një plan konkret), mundet që t‘i shndërrojë në realitet premtimet e shteteve të ndryshme për reduktimin e gazrave të dëmshme (Kina 45%, India 35%, një numër vendesh të BE-së nga 15-50% etj.) Në këtë mënyrë do të mund të realizohen synimet e studimit të UNEP dhe specialisti anglez për klimën, Nicolas Stern, i cili tashmë është publikuar në Kopenhagen (ky studim është kryer nga Lordi Nicolas Stern, drejtues i Grantham Research Institute on Climate Change and the Environment në London School and Economics and Political Science, dhe analistëve të UNEP).
Sipas këtij studimi, bota duhet të ketë si synim një kufi maksimal të emisioneve (emetimeve) prej 44 miliardë tonë metrikë në vit, deri në vitin 2020, në mënyrë që të evitohet rritja e temperaturës prej 2 gradë Celsius. Në këtë studim mbështetet ideja se në qoftë se shtetet u përmbahen premtimeve të bëra deri më sot, kjo do të mjaftojë që emetimet të ulen deri në 46 miliardë tonë metrikë në vit, nga afërsisht 47 miliardë tonë metrikë në vit, që është aktualisht. Përndryshe (nëse nuk arrihet marrëveshja dhe nuk merren masat), këto emetime do të arrijnë në 55 ose më shumë miliardë tonë në vitin 2020 dhe pasojat globale do të jenë të pallogaritshme. Janë këto arsyet që i japin një vërtetësi të plotë faktit që bota po ndodhet përballë një revolucioni të ri, atij të gjelbër, që do të shoqërohet me ndryshime të shpejta, të mëdha, të shumta teknologjike dhe shumëdimensionale, për t‘i thënë lamtumirë krizës globale.
SHQIPERIA PERBALLE REVOLUCIONIT DHE EKONOMISE SE GJELBER
Sfida e përballjes me pasojat e ndryshimeve klimaterike globale dhe me pasojat e krizës ekonomike globale ka zhvilluar më tej mendimin ekonomik, shkencor akademik dhe po u jep një shtysë të re politikave ekonomike e financiare globale. Në këtë kuadër, një vend dhe rol të rëndësishëm po luan edhe "shkolla e mendimit të zhvillimit ekonomik të gjelbër" (Green Economia), e cila tashmë nga një mendim akademik e shkencor po shndërrohet në platformë e programe qeverisëse në disa vende, duke pretenduar të bëhet pjesë e rëndësishme dhe dominuese e politikave ekonomike globale. Samiti i Kopenhagenit dhe marrëveshja që pritet të arrihet është një dëshmi e qartë e këtij fakti. Por çfarë është zhvillimi ekonomik i gjelbër?
Zhvillimi ekonomik i gjelbër presupozon një lloj të ri zhvillimi, ku mjedisi dhe cilësia nuk janë thjesht parametra ose politika sektoriale, por boshtet kryesore dhe bazat e një plani (programi) të ri të zhvillimit alternativ të ekonomisë së një vendi. Mbase vendi ynë është një vend i vogël dhe me një ndikim thuajse jo të konsiderueshëm në ndryshimet klimatike, ngrohjen dhe në zhvillimet energjetike globale. Por, natyrisht, pranimi dhe familjarizimi me idetë e një "revolucioni të gjelbër global" dhe "zhvillimin e ekonomisë së gjelbër" duhet të jetë një përqasje e zhvillimeve të ardhshme edhe për ekonominë shqiptare. Kësisoj, është e domosdoshme që edhe në këtë drejtim të dilet nga skemat spontane, të rastit dhe të shkëputura apo elektorale) dhe të kalohet në filozofi të qarta, politika të reja e programe konkrete të zhvillimit të ekonomisë së gjelbër, energjetikës, ndërprerjes së emetimit të gazrave, turizmit etj.
Shqipëria, ndonëse vend i vogël, është një nga vendet me prekshmëri më të lartë në rajon nga tendencat e ndryshimeve klimaterike. Këto ndryshime nuk mund të mos kenë ndikimin e vet në sektorin e bujqësisë, të prodhimit energjetik, të rritjes së aksesit për furnizimin me ujë të pijshëm. Samiti i Kopenhagenit, marrëveshja dhe deklarata e pritshme e tij, duhet të përbëjnë edhe për vendin tonë një dokument shumë të rëndësishëm në rrugën zhvilluese, në zgjedhjen e modelit të konsumit më të qëndrueshëm dhe të realizimit të objektivave integruese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›