E Diel, 1 Nëntor 2026

Selami: Pa një dialog mes klasës politike s‘ka demokraci

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, komenton në një intervistë për "Zërin e Amerikës" zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Zoti Selami, ajo që filloi dikur si lëvizje studentore u shndërrua në lëvizje popullore në Shqipëri. Si i kujtoni ju ato momente?

Patjetër që janë nga momentet më emocionuese të jetës sime profesionale, por janë edhe momentet mbase më progresive të historisë 100-vjeçare mbase të Shqipërisë. Kjo, jo vetëm sepse ishte fillimi i fundit të diktaturës totalitariste, por si të thuash ishte edhe një rikthim te vlerat properëndimore, të cilat ishin në mendjet e rilindësve kur projektuan shtetin e ri shqiptar në fund të shekullit 19. Në këtë aspekt mendoj se kjo ngjarje me të drejtë do të mbahet mend si një nga ngjarjet më progresive në historinë e Shqipërisë.

Tani, pas 20 vjetësh zoti Selami, idealet e demokracisë së 19 viteve më parë si janë zbatuar në praktikë në Shqipëri. A kanë gjetur një zbatim real?

Mund të them në total se, pavarësisht nga acarimet dhe si të thuash një skepticizmi, Shqipëria ka ecur në rrugë të drejtë me përjashtim të disa aksidenteve, të cilat mund të ishin evituar. Kuptohet se akoma është një rrugë që nuk është e përfunduar. Drejtimi është i duhur dhe unë mendoj se Shqipëria shumë shpejt do t‘i bashkohet familjes europiane.

Desha ta lidh këtu me gjendjen aktuale të acarimit të klimës politike. Si e shikoni ju këtë?

Me të drejtë thuhet se demokracia nuk është forma më e lehtë, është forma më e mirë e qeverisjes dhe kërkon më shumë impenjim dhe strukturim të saj. Shteti ligjor padiskutim që ka nevojë për zbatimin e ligjeve. Kur acarohet politika dhe kur acarohet jeta politike në Shqipëri, kuptohet se kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë minimizon edhe arritjet e demokracisë. Është për të theksuar se në demokraci ka vend për pozitën dhe opozitën, është si një shtëpi e përbashkët që, siç thoshte Abraham Linkoln, nuk mund të qëndrojë nëse nuk mbahet nga të dyja anët. Një shtëpi e ndarë nuk mund të qëndrojë, ndaj në këtë aspekt unë mendoj se klasa politike shqiptare duhet të mbajë parasysh pikërisht këtë gjë. Ka nevojë për të dyja palët dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm. Mungesa e normave të etikës është një mungesë respekti për institucionet. Mbi të gjitha është një mungesë fokusimi për problemet reale që ka Shqipëria. Ata janë atje, rrugën konkrete do ta gjejnë. Pa një dialog, pa një bashkëpunim, pa një respekt reciprok ndaj forcave politike nuk mund të ketë një përparim të qëndrueshëm, i cili u takon të gjithë shqiptarëve. Unë e kam thënë disa herë që optimizmi im është i vazhdueshëm dhe pavarësisht këtyre situatave unë përsëri jam optimist në të ardhmen e afërt dhe të ardhmen e largët të Shqipërisë. Mendoj se klasa politike shqiptare ka pjekurinë e duhur. Edhe në momente që duken më të errëta dhe që duken më konfrontuese, mendoj se do të gjendet gjuha e përbashkët, sepse ky është interesi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.

Cilat i shikoni si sfidat më të rëndësishme në demokratizimin e institucioneve në Shqipëri?

Atë çka edhe komuniteti ndërkombëtar e ka theksuar dhe si të thuash edhe analistët e huaj që thonë se po merr kohë që Shqipëria të kthehet në një demokraci funksionale. Padyshim që ndarja e pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit është një nga problemet më të mprehta dhe më thelbësore të demokratizimit të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›