Coli Avokatëve: Lul Berisha e Klod Saliu vranë Dritan Sallakun
Në seancën e djeshme, prokurorët dhe avokatët gjatë pyetjes së të penduarit debatuan për dëshmitë e tij dhe procedime të prokurorisë ende të panjohura
TIRANË- Debatet proceduriale mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes së bandës së Durrësit, vazhduan edhe në seancën e djeshme, kur avokati i Lulëzim Berishës, mori në pyetje të penduarin e "bandës" të pandehurin Adriatik Coli.
Ai nuk nguroi t'iu përgjigjet pyetjeve të hollësishme në lidhje me vrasjen e Dritan Sallakut dhe plagosjes së Ilir Nelës e Agim Rexhepit në vitin 1998 në Durrës.
Avokati, Arben Qeleshi i kërkoi detaje të hollësishme, deri edhe tek ngjyrat e rrobave që kishin veshur të pandehurit ditën e vrasjes së Dritan Sallakut tek Shkolla "7 Nëntori".
Në verandën e një lokali aty pranë u vra Dritan Sallaku e u plagosën Ilir Nela dhe Agim Rexhepi. Kjo vrasje, sipas Colit, është kryer nga Lul Berisha që ishte shofer i makinës, Klodian Saliu që kishte një pistoletë e ishte ulur para. Pas ishte Plarent Dervishi që kishte një armë "Skorpions" dhe Ilir Xhunga një pistoletë.
Gjatë seancës së djeshme gjyqësore nuk munguan edhe replikat deri edhe tone të ashpra mes prokurorëve të çështjes dhe avokatëve mbrojtës, në lidhje me pretendimin e këtyre të fundit se prokuroria ka dërguar në vendngjarje të ndryshme të penduarin Coli në orët e vona të mbrëmjeve jashtë rregullave procedurale.
"Prokuroria, për të provuar ato që pretendonte i penduari ka kryer shkelje procedurale, duke dërguar të pandehurin Adriatik Coli në orët e vona të natës nëpër vende të ndryshme që pretendohen se kanë qenë vende të ngjarjes së vrasjeve, plagosjeve dhe atentateve të ndryshme.
Këto veprime janë kryer jashtë çdo rregulli procedural dhe për këtë i kërkojmë gjykatës që t'i rishikojë ato",- thanë avokatët, duke kërkuar pezullimin e gjykimit deri në sqarimin e këtyre momenteve. Gjithashtu, avokati Ilia Ilia i kërkoi gjykatës që të mos vazhdonte procesi pa u njohur avokatët me dëshmitë e tjera që i pandehuri Coli ka dhënë para prokurorisë.
"Sipas deklarimeve të vetë të pandehurit Coli, ky i fundit ka dhënë edhe dëshmi të tjera në prokurori për vrasje që nuk janë përfshirë në këtë dosje. Prokuroria pretendon se ka një procedim të hapur për këto, kështu që i kërkojmë gjykatës të pezullojë procesin që të njihemi me këto prova të reja nëse ekzistojnë".
Prokurori i çështjes këmbënguli sërish se këto pretendime janë arsye të për zvarritur procesin gjyqësor, pasi të gjitha këto pretendime janë të pabazuara.
Gjykata, pasi u tërhoq për vendim, rrëzoi kërkesat e avokatëve pjesërisht, duke pranuar vetëm faktin se "do t'i kërkojë drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, informacion për ndonjë procedim tjetër penal për vrasje të kryera në Durrës dhe për ekzistencën e ndonjë dëshmie tjetër të të penduarit Adriatik Coli",-thuhet në vendimin e ndërmjetëm të gjykatës.
Pas këtyre debateve, seanca vazhdoi me pyetjen e Colit deri në ora 16:00 ku u vendos ndërprerja e seancës për shkak të përfundimit të orarit zyrtar të punës së Gjykatës së Krimeve të Rënda për ditën e djeshme. Seanca gjyqësore do të vazhdojë të hënën në mëngjes.