E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Haradinaj”, Hagë: Nuk është vrarë asnjë dëshmitar

Tribunali i Hagës për Krime të Luftës ka deklaruar se nuk është vrarë asnjë dëshmitar në proceset kundër Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, duke i përgënjeshtruar raportet e ditëve të fundit në mediat serbe. Përfaqësuesja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jellaçiç, ka theksuar se janë absolutisht të pavërteta pohimet se dëshmitarët e Tribunalit të Hagës janë vrarë gjatë gjykimeve të Haradinajt dhe Limajt.
 

“Asnjë person nga lista e dëshmitarëve ose person, të cilit Gjykata ndërkombëtare i ka lejuar masat e mbrojtjes, në këto dy lëndë, nuk është vrarë”, ka thënë ajo, duke komentuar raportet që lidhen me sistemin e mbrojtjes së dëshmitarëve para Tribunalit, dhe në rigjykimin e Haradinajt, të cilat gjatë ditëve të fundit i kanë publikuar disa media në Serbi.
 

Nerma Jellaçiç ka nënvizuar se rreth 4 mijë dëshmitarë, kanë dëshmuar deri tashti para Tribunalit, ndërsa për 1 mijë prej tyre, ishin përcaktuar masat e caktuara të mbrojtjes.
 

Këto komente u bënë pasi prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviç, i ka thënë një të përditshmeje beograde se më shumë se 40 dëshmitarë në proceset Haradinaj dhe Limaj, janë vrarë ose frikësuar.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›