E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP: Prokuroria dy standarde për zyrtarët

10/03/2010 Inspektori i Përgjithshëm depoziton në Kuvend raportin vjetor të institucionit

Rastet e konfliktit të interesave, Llalla propozon të legjitimohet si palë në gjyq

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ndryshe nga ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, i cili dy ditë më parë vlerësoi punën e organit të akuzës, është i pakënaqur me punën e këtij institucioni. Sipas Inspektorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, organi i prokurorisë aplikon standarde të ndryshme për raste të ngjashme të kallëzimeve penale ndaj zyrtarëve lokalë në raport me ata të nivelit të lartë. Këtë shqetësim ai ia ka transmetuar Kuvendit të Shqipërisë përmes raportit vjetor të veprimtarisë së institucionit të tij, detyrim ligj që e mbart çdo institucion i pavarur apo i krijuar me ligj. “Gjatë vitit 2009, ILDKP-ja është gjendur përballë një situate jo të favorshme për realizimin e qëllimit të punës. ILDKP-ja ka vënë re se organi i prokurorisë aplikon standarde të ndryshme për raste të ngjashme, pavarësisht se nga ana formale procedura e hetimit administrativ dhe vërtetimi me prova shkresore është i njëjtë për të gjitha rastet”, thuhet në raport. Sipas Llallës, ILDKP-ja konstaton se për zyrtarë kryesisht lokalë prokuroria realizon një punë serioze për dërgimin e çështjeve në gjykim, gjë e cila nuk ndodh me zyrtarë të nivelit të lartë. “Kjo iniciativë nuk vihet re për rastet kur ILDKP-ja kallëzon penalisht zyrtarë të nivelit të lartë e që vërtetohet se nuk justifikojnë legjitimitetin e pasurive disamilionëshe të krijuara”, nënvizohet më tej. Një statistikë të tillë ILDKP-ja e ka evidentuar edhe nga shkresa e zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria e Kontrollit të Hetimit dhe të Ndjekjes Penale. Nga 15 kërkesa për nisjen e procedimit penal të Inspektoratit të Lartë, 11 procedime kanë përfunduar, nga të cilat 8 procedime janë dërguar për gjykim dhe 3 të tjerat janë pushuar. Nga 8 procedimet e dërguara për gjykim janë shpallur fajtorë nga gjykatat 7 persona dhe është dhënë pafajësi për një person. Ndërkohë që 3 procedimet e pushuara nga organi i Prokurorisë janë pikërisht zyrtarët e nivelit të lartë, të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë me burime të ligjshme pasurinë e tyre që arrin në disa qindra mijë euro.

Rastet të konfliktit të interesave

Nga kontrollet e ushtruara nga ILDKP-ja në institucionet publike dhe në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse të institucionit të administratës publike janë evidentuar trajtuar dhe parandaluar 122 raste nga informacionet e mbërritura prej autoriteteve përgjegjëse të institucioneve publike, nga informacionet e mbërritura në mënyra të ndryshme komunikimi me Inspektoratin e Lartë dhe nga media. Konkretisht në 19 raste është shmangur marrja në funksione të ndryshme e zyrtarëve që kishin interesa private që binin ndesh me funksionin publik; 17 raste konflikt interesi të paraqitura nga institucione të ndryshme të administratës publike; 36 raste të evidentuara nga autoritetet përgjegjëse të institucioneve qendrore të administratës publike; 48 raste të evidentuara nga autoritetet përgjegjëse të administratës së pushtetit vendor dhe 2 raste të ofruara nga media.

Propozimi i ILDKP-së

Në funksion të rritjes së efektivitetit të kontrolleve të ushtruara për raste të konfliktit të interesave dhe rregullimit të pasojave ligjore të akteve të marra në kushtet e konfliktit të interesave, ILDKP-ja duhet të legjitimohet si palë, për fillimin e një procesi gjyqësor me qëllim finalizimin e procedimit administrativ të filluar me nismën e tij ose me kërkesë të palëve të interesuara, duke ndihmuar në rregullimin e pasojave juridike të një akti të marrë në kushtet e konfliktit të interesave. Ligji i parandalimit të konfliktit të interesave sanksionon detyrimin e institucioneve publike. Kur një akt i tyre bëhet i pavlefshëm për shkak të konfliktit të interesave, duhet të ndërmarrin procedurat e dënimit disiplinor të zyrtarëve që kanë vepruar me keqbesim. Në rastet kur vetë institucioni nuk e ndërmerr këtë nismë, vepron ILDKP-ja në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›