E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj, “Qytetar nderi” i Tropojës

Tropoja e Vjetër i jep kryetarit të Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, titullin "Qytetar nderi" i komunës së Tropojës së Vjetër. Pas dorëzimit të titullit nga kryetari i komunës së Tropojës së Vjetër, Shpend Hoxha, Haradinaj u shpreh se "ndihem mjaft i nderuar për titullin që më jepet nga banorët e kësaj zone, ku në ditët e vështira të luftës kam lëvizur jo rrallë. Në këtë ditë së bashku kujtojmë ditët e vështira të vitit '98, kur shovinistët serbë përzunë me dhunë mbi 17 mijë kosovarë dhe ishit ju mikpritësit e parë. Tashmë, - vijoi ai, - jetojmë një kohë tjetër, kur Kosova është e lirë dhe e pavarur, kur shkojmë të njëri-tjetri si te vëllai dhe kjo është fitorja më e madhe, fitorja jonë e përbashkët". Në fillim të prillit 2008 Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Pjesëtar i një familjeje që ka derdhur gjakun e vet për Kosovën e lirë, ai është vëlla i dy dëshmorëve, Luan dhe Shkëlzen Haradinajt, edhe ata drejtues të lartë në UÇK, rënë në vitet 1997-1998.

Ministri Duro betohet tek Presidenti

Ministri i ri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, bëri dje betimin përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në ceremoninë zyrtare të rastit të organizuar në mjediset e Pallatit të Brigadave, ishin të pranishëm kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deputetët e kësaj partie, Leonard Solis dhe Spiro Peçi, dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të formulës së betimit, si dhe të dekretit të emërimit, nga sekretari i përgjithshëm i institucionit të Presidencës, z. Aleksandër Flloko, z. Anastas Duro u betua përpara Presidentit të Republikës, i cili nga ana e tij, i shprehu ministrit të ri urimet më të mira për suksese në përmbushjen e detyrës shumë të rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›