E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Të shkohet në zgjedhje të përgjithshme

Kryetari i partisë opozitare "Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës" ose AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë dhënë për BBC-në, ka deklaruar se viti 2009 ishte një vit i rëndë për Kosovën. Sipas tij, lidershipi në Prishtinë nuk e ka shfrytëzuar gjendjen e favorshme për të paraqitur një pozicion më të fortë ndërkombëtar për Kosovën. Pyetjes se cili është vlerësimi i tij për zhvillimet e vitit 2009, Haradinaj tha se ishte një vit jo i lehtë për Kosovën. Ai shtoi se ka qenë një vit sfidues dhe se janë sfiduar nga shumë trende, veçanërisht nga trendet jo të mira qeverisëse në vend, sfida të brendshme që kanë reflektuar jo mirë edhe në pozicionin e jashtëm të vendit. Ndërkohë Kosova po mbush gati dy vjet si shtet, por ende nuk po funksion si një tërësi e vetme, me, ndoshta, një të tretën e territorit që nuk e kontrollon pushteti qendror. Pyetjes se mos është ky një dështim i politikës në Prishtinë, Haradinaj iu përgjigj se është mungesë e fillimit të Prishtinës zyrtare që të ushtrojë funksionet e veta në territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e vendit. " Mendoj se ka munguar krejtësisht në këtë pjesë të Kosovës. është mirë që mekanizmat ndërkombëtarë kanë vendosur një funksionim të rendit, por kjo është e pamjaftueshme. Juridiksioni i Kosovës akoma ka vështirësi me u shtri në veri dhe ka një agresivitet të Serbisë në pjesën e veriut", shtoi Haradinaj. Lidhur me zhvillimet e fundvitit, veçanërisht me zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë, dhe për përmbushjen e standarteve demokratike, Haradinaj komentoi: " Unë mund t'iu them se ne kemi jetuar një tregues për një gjendjeje jo të mirë të demokracisë në vend. është me rëndësi edhe përmbyllja e zgjedhjeve komunale dhe duhet të shkohet edhe në zgjedhje të përgjithshme. Mendoj se presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, me vendimin e tyre për t'i shtyrë zgjedhjet, nuk i kanë bërë shërbim të mirë vendit", tha Haradinaj, ndërsa shtoi se ata e kanë mundësinë për të ndërprerë një trend negativ për Kosovën, sepse zgjedhjet e përgjithshme janë dalja e duhur nga gjendja e krijuar në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›