E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj kërkohet si negociator për paqen në Ugandë



Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është kërkuar nga kryengritësit myslimanë të jetë negociator për ndërmjetësimin e bisedimeve të paqes në Ugandë me qeverinë. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve franceze AFP. Sipas zëdhënësit të kryengritësve, Haradinaj është i përshtatshëm, pasi ai ka kaluar nëpër shumë përvoja, përfshirë edhe atë të luftëtarit. Ministri i Shtetit për çështje të Brendshme të Ugandës, Matiah Kasiaj, është shprehur se është në dijeni të kërkesës së rebelëve dhe nuk ka asnjë kundërshtim ndaj zgjedhjes së Haradinajt. Kasiaj gjithashtu ka thënë se Qeveria e Ugandës planifikon të dërgojë një delegacion për të takuar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Konflikti në shtetin afrikano-lindor të Ugandës ka nisur nga fillimi i viteve ’80, ku qindra veta u vranë gjatë rebelimit kundër qeverisë së vendit dhe rreth 400 mijë të tjerë mbetën të pastrehë. Aktet e dhunës në këtë shtet u intensifikuan mes viteve 1998-1999 ku nën shënjestër u vendosën edhe shumë restorante, klube nate dhe vende të tjera publike. Destabiliteti që ka përfshirë këtë vend ka rritur presionin ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhjeje, duke detyruar presidentin e vendit, Musevini, që të tërhiqet nga opsioni i ndërhyrjes ushtarake dhe gjetjes se një zgjidhjeje politike.

Mali i Zi injoron Serbinë për raportet me Kosovën

Podgorica zyrtare ka injoruar paralajmërimet e Beogradit për të mos vendosur marrëdhënie diplomatike me Prishtinën. Kryetari i Këshillit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Malazez, Miodrag Vukoviç, ka deklaruar se Mali i Zi do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, ashtu sikurse ka njohur pavarësinë e saj. “Beogradi nuk përfaqëson një superfuqi që mund të urdhërojë Malin e Zi se si të sillet. Ne, vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën do ta marrim ashtu sikurse kemi vendosur të njohim pavarësinë e saj, duke parë interesat tona kombëtare”, - ka pohuar Vukoviç. Zyrtari malazez ka shtuar më tej se marrëdhëniet diplomatike mes Podgoricës dhe Prishtinës do të vendosen sapo të plotësohen kushtet, që janë kryesisht zgjidhja e statusit të pakicës malazeze në Kosovë dhe kthimi i të zhvendosurve.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›