E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretarja Klinton fton Sejdiun dhe Thaçin në Uashington

Vizita e autoriteteve kosovare në SHBA do të zhvillohet më 26 shkurt. SHBA-të përshëndetën përparimin e bërë nga Kosova gjatë këtij viti

Blerina Olldashi
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ftoi për vizitë në Departamentin e Shtetit presidentin dhe kryeministrin e Kosovës për të riafirmuar të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën. Sipas mediave, vizita do të jetë më 26 shkurt. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës urojnë popullin e Republikës së Kosovës në kohën që ata festojnë përvjetorin e parë të deklaratës historike të pavarësisë”, - thuhet në një njoftim për shtyp të Departamentit Amerikan të Shtetit. Më tej, deklarata vazhdon se Kosova ka ecur shpejt për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për zbatimin e parimeve të OKB-së që dalin nga paketa e Ahtisarit. ”Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë Qeverinë e Kosovës për promovimin e stabilitetit në rajon dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë, pavarësisht linjave etnike e religjioze, në mënyrë që të sigurohet një e ardhme prosperuese për të gjithë”, - përfundon deklarata. Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur përparimin e bërë drejt forcimit të demokracisë në Kosovë, e cila para dy ditësh mbushi përvjetorin e parë si shtet i pavarur. SHBA-të
ishin një forcë kryesore në arritjen e pavarësisë së Kosovës dhe zyrtarët amerikanë po i përshëndesin hapat e bëra nga ky vend i vogël ballkanik në vitin e tij të parë si entitet i veçantë duke pranuar njëkohësisht se ende ka probleme. Kosova u shkëput nga Serbia në vitin 2008, nëntë vjet pas fushatës ajrore të NATO-s e cila çoi në largimin e trupave të Beogradit nga Kosova. Shteti i ri e festoi përvjetorin e parë të pavarësisë me njerëz të shumtë që manifestuan në Prishtinë duke valëvitur flamurë. Por një atmosferë e zymtë mbretëronte në Veriun e vendit të banuar nga shumica serbe, ndërkohë që udhëheqësit në Beograd theksuan refuzimin e tyre për të njohur Kosovën. Presidenti serb, Boris Tadiç, tha se Serbia kurrë nuk do të ndërmarrë asnjë veprim të vetëm që të nënkuptojë pavarësinë e Kosovës, rreth së cilës ajo ka dërguar ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në një konferencë për shtyp në Uashington, zëvendëszëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Gordon Duguid, i uroi kosovarët me rastin e njëvjetorit të pavarësisë. Ai tha se Kosova ka ecur me shpejtësi për të forcuar demokracinë, duke përfshirë masat mbrojtëse për të drejtat e pakicave, siç përcaktohej në planin e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Zoti Duguid tha se 54 vende, duke përfshirë një shumicë të gjerë vendesh të Bashkimit Europian, NATO-s dhe OSBE-së, e kanë njohur Kosovën. Si Serbia, ashtu edhe aleatja e saj kryesore politike, nuk e pranojnë pavarësinë ndërkohë që shteti i ri vuan nga papunësia e lartë dhe probleme të krimit.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›