Haradinaj kritikon Qeverinë Thaci
PRISHTINE-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka kritikuar sot Institucionet e vendit. Ai i akuzoi ministrat për udhëheqje të dobët dhe korrupsion. Haradinaj u shpreh gjithashtu se koalicioni qeverisës ka vizion vetëm për krijimin e privilegjeve për vete, por jo edhe për popullatën.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj theksoi sot se sipas raporteve më të fundit të UNDP-së, OSBE-së dhe ICG-së ka një degradim të gjendjes në Kosovë, me rënien e besimit në institucionet e vendit, korrupsion dhe humbjen e shpresës tek njerëzit. Ai tha se gjendja në realitet është edhe më e keqe, pasi organizatat në fjalë, kanë kujdes në gjuhën që e përdorin gjatë prezantimit të raporteve.
“Si aleancë e ngrejmë zërin, pra në një mënyrë protestojmë për mos-marrjen me seriozitet të vlerësimeve në këto raporte dhe të mos-marrjes me seriozitet të gjendjes së rëndë sociale dhe ekonomike në Kosovë. Në bazë të kësaj, nuk shihet një shpresë se do të hapen vende të reja të punës, se do të kemi një zhvillim ekonomik, pra në përgjithësi konfirmohet ajo që kemi thënë më herët se qeverisja në Kosovë është një lajm i keq” , tha Haradinaj
Haradinaj u shpreh se koalicioni qeverisës ka një vizion të qartë dhe është shumë kreativ në krijimin e privilegjeve personale. “Kjo po shihet edhe me propozimin e kryesisë së Kuvendit për blerje të makinave për deputetët.
Haradinaj theksoi gjithashtu edhe politizimin e çështjeve me interes shtetëror, sikurse që është privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.
(d.b/RTK/BalkanWeb)