E Hënë, 2 Nëntor 2026

Haradinaj paraqitet vullnetarisht në Hagë

09/03/2005  Kryeministri i Kosovës kërkon sakrifica për të arritur tek pavarësia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, duke deklaruar se do të paraqitet vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, ku do t'u përgjigjet pyetjeve në lidhje me krimet e luftës. Gjatë deklaratës së dhënë për shtyp, Haradniaj u ka kërkuar kosovarëve që të gjithë ata të bëjnë një sakrificë, në mënyrë që të arrihet pavarësia e Kosovës. "Lufta e fundit në Kosovë la së paku 12.000 të vrarë dhe qindra-mijëra të tjerë të fyer e të përdhunuar. Më shumë se 120.000 shtëpi dhe prona të djegura dhe mëse një milion qytetarë të larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, në një fushatë brutale të spastrimit etnik. Lufta jonë për liri ka kërkuar tepër sakrifica. Edhe sot e kësaj dite, me mijëra familje përballen me dhimbjen dhe ankthin për më të dashurit e tyre, fati i të cilëve nuk dihet. Dhe ne ende nuk e kemi përfunduar punën", tha Haradinaj. Ai theksoi se Kosova e ka kaluar një rrugë të gjatë që nga viti 1999 dhe tani është afër arritjes së pavarësisë. "Kjo do të jetë arritja më e madhe për Kosovën dhe në të njëjtën kohë edhe fillimi i rrugëtimit drejt Unionit Evropian dhe NATO-s", tha Haradinaj. Duke iu drejtuar kosovarëve, ai tha se "asgjë nuk guxon ta ndalë rrugëtimin tonë tani. Secili prej nesh, cilidoqoftë, duhet të jetë i gatshëm që të bëjë sakrificën e duhur. Sot unë jam thirrur të bëj edhe një sakrificë, gjë që kurrë nuk kam besuar se do të ndodhë. Tani jam informuar se Tribunali i Hagës e ka lëshuar një aktpadi kundër meje", tha Kryeministri i Kosovës. Sipas tij, përfaqësuesi i OKB-së, Jessen-Petersen, ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë imi dhe një mik i madh i Kosovës.

Qëndrimi

Haradinaj sqaroi dje se është i pafajshëm për çfarëdo krimi që më ngarkohet. "Të gjitha veprimet e mia në luftë kanë qenë në pajtim me moralin e luftës, me rregullat ndërkombëtare dhe me kodin e burrërisë. Kjo në vetvete do të thotë edhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, sado e padrejtë të jetë në këtë moment", tha ai. Gjithsesi Haradinaj tha se ndjehet i fyer me këtë proces, "ndjehem i prekur thellë, ndjej se po më largojnë nga puna, në kohën kur isha duke dhënë maksimumin për vendin tim". Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare e ka bërë një gabim të madh, kur e ka krijuar një tribunal, i cili i trajton luftëtarët e lirisë njësoj me agresorët, që shkatërruan popuj të tërë". Duke parë se gazetarët dhe rojet e sigurisë po ndiqnin fjalimin të përlotur, Haradinaj tha: ”Mos qani, se tani po më ligni edhe mua”.

Pasojat

Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt, një prej ministrave të kabinetit të tij ka paralajmëruar dorëheqjen e tij, dhe pse Haradinaj ka kërkuar qëndrimin e tij në detyrë. Ahmet Isufi, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, ka paralajmëruar largimin nga posti. Ndërsa zv/kryeministri Adem Salihaj tha se “konstatoj me keqardhje që Kryeministri do të shkojë në Hagë. Ishte diçka që është përfolur shumë, por që nuk e kemi dëshiruar dhe nuk e kemi pritur, dhe në këtë rast na ka krijuar një situatë jo të mirë për proceset në Kosovë, për pavarësinë, duke lënë anash hapin e tij personal. Na vjen shumë keq që po ndodh kjo, sepse këta tre muaj derisa Haradinaj e udhëhoqi Qeverinë e Kosovës, ishin tre muajt më të suksesshëm të Qeverisë”. Ndërkohë, për shkak të tensionimit të situatës në fshatin e lindjes së Kryeministrit, Glogjan në perëndim të Kosovës, nisi një operacion në shkallë të gjerë i drejtuar nga forcat e policisë. Për momentin, nuk është e qartë natyra e këtij operacioni, por dyshohet se ka lidhje me trazira të mundshme, që mund të pasojnë dorëheqjen e Kryeministrit.

SHBA: Veprimi demostron përgjegjshmëri

Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt dhe deklaratës së tij, se do të paraqitet vullnetarisht në Hagë, SHBA-të kanë dhënë mesazhin e tyre pozitiv për këtë veprim. "Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Ramush Haradinajt për të dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe shkuarjen e tij vullnetare në Hagë. Veprimi i tij demonstron përgjegjësinë e thellë për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të tij.

SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar janë të vendsour në mbështetjen e tyre për zhvillimin e institucioneve të Kosovës në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, si dhe vazhdimësinë e implementimit të Standardeve për Kosovën”. Theksojmë se respektimi i ligjit nga të gjithë qytetarët është një përbërës esencial i standardeve. 2005-a është një vit i rëndësishëm për aspiratat e popullit të Kosovës. Në pritje të një qëndrimi pozitiv në fund të këtij viti, dhe fillimin e një procesi që garanton statusin e ardhshëm, Kosova duhet të sigurojë paqe dhe të vazhdojë punën për implementimin e standardeve. Populli i Kosovës do të sigurojë mbështetjen e plotë të SHBA në këto përpjekje. Dhuna nuk do të tolerohet dhe do të ketë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës. Në do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë provizore të Kosovës në këto çështje", thuhet ndër të tjera në deklaratën e Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

OSBE: Besojmë në pjekurinë e kosovarëve

Shefi i OSBE, Dimitrij Rupel, në një deklaratë për mediat, ka theksuar se është në ndjekje të të gjitha zhvillimeve që po ndodhin pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai thekson se OSBE e ka mirëpritur qëllimin e Haradinajt për të shkuar në Hagë për t'iu përgjigjur pyetjeve që janë të lidhura me krimet në lidhje me gjykatën ndërkombëtare për krimet në Jugosllavi. Unë besoj në pjekurinë e banorëve të Kosovës dhe besoj se ata do të realizojnë qëllimet e tyre më të mira, duke ndjekur veprimet e Kryeministrit dhe duke ndjekur rrugët ligjore", tha ministri Rupel. "Unë, gjithashtu, i kërkoj të gjithë popullsisë të qëndrojë e qetë dhe të shkëputet prej çdo aksioni apo veprimi që kërkon të ndezë situatën në këtë moment kaq delikat për Kosovën". OSBE ka ofruar kontributin e vet në mënyrë që situata të mos kalojë në të njëjtën mënyrë si një vit më parë, kur 19 vetë u vranë dhe 4 mijë të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre. Rupel ka theksuar se dhe në një takim të zhvilluar një vit më parë me drejtuesit shqiptarë të Kosovës ka marrë mbështetjen për një bashkëpunim të plotë. Ndaj, ai ka shprehur besimin se populli i Kosovës do të reagojë me qetësi dhe maturi, duke respektuar autoritetet dhe institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare. Ai ka vlerësuar lartë veprimin e Ramush Haradinajt për të shkuar vullnetarisht në Hagë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›