E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj takim me shqiptarë të Luginës së Preshevës

Mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar për statusin e Kosovës, po pengojnë zgjidhjen e shumë problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kështu u shprehën përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, gjatë një takimi që patën me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke shtuar se ndihma e Prishtinës dhe Tiranës janë thelbësore për përmirësimin e jetës së tyre.

“Shumë probleme jetësore nuk zgjidhen apo shumë ngadalë zgjidhen, pikërisht edhe për shkak të raporteve ekzistuese në mes të Beogradit dhe Prishtinës zyrtare. çfarëdo relaksimi në këtë plan do të kontribuonte që atje probleme të zgjidhen në mënyrë efikase”, tha Riza Halimi, Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik.

“është në interes të Kosovës por edhe të Luginës së Preshevës që kjo pjesë e banuar e shqiptar të jetë një vend i sigurt, ku në fushën politike, ekonomik dhe sociale të ndihmohet nga Kosova. Por natyrisht se pa ndihmën e Prishtinës dhe Tiranës, vështirë do ta kemi që të t’ia dalim”, u shpreh Jonuz Musliu, Kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik.

Ndërsa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi nga institucionet shtetërore të Kosovës të shfrytëzojnë ndikimin e tyre në përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Unë e fillova me pozicionin social dhe ekonomik, ju e dini se një pjesë e madhe e njerëzve të Luginës jetojnë në Kosovë, shumica e të cilëve kanë vështirësi të shumta dhe kuptohet e kanë më vështirë lidhjen me vendlindjen në rast se nuk ka një interesim të Prishtinës zyrtare për t’ju lehtësuar lidhjen”, deklaroi Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.

Më mars të këtij viti Zv/Kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vizituar Luginën e Preshevës, vizitë e cila u cilësua si historike, pasi Meta ishte zyrtari i parë i Shqipërisë që ka vizituar këto treva të banuara me shqiptarë.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›