Haradinaj, vizitë në Maqedoni i ftuar nga PDSH-ja
Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një vizitë në Maqedoni me ftesë të partisë shqiptare PDSH. Lajmi u bë i ditur nga burime pranë AAK-së. Sipas këtyre burimeve, qëllimi i vizitës së Haradinajt është pjesëmarrja në përvjetorin e themelimit të PDSH-së. “Kreu i AAK-së do të japë mesazhe të qarta për ecurinë e Kosovës, Maqedonisë dhe rajonit drejt integrimeve euro-atlantike”, - deklaruan burimet. Vizita e Haradinajt është e para në Maqedoni që kur u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Maqedonia nuk është gati për negociata me BE-në
Kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek, e cila ka Presidencën e radhës së Bashkimit Europian bëri të ditur”: “Maqedonia nuk i plotësoi kushtet e Bashkimit Europian për caktimin e datës për negociata, ku njëra prej tyre është edhe kontesti me emrin. Komisioni Europian i caktoi Maqedonsië tetë kushte për fillimin e negociatave për anëtarësim, por disa prej tyre ende nuk janë realizuar”, - tha Topolanek për të përditshmen “Utrinski Vesnik”, duke shtuar se kyçe do të jenë zgjedhjet në mars dhe dialogu me opozitën. Kryeministri çek e lidh këtë edhe me situatën brenda Bashkimit Europian ku zgjerimi nuk po vazhdon me ritëm të shpejtë. “Çekia e mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, por pasioni rreth zgjerimit ka humbur nga vendet e vjetra anëtare. Ato kalojnë nëpër një fazë të zgjimit, prandaj kjo e rrit rolin e vendeve si Çekia, të cilat doemos do të duhet t’i nxisin anëtaret e vjetra, por edhe vendet si Maqedonia, që të mos ndalin zgjerimin”, - tha Topolanek.
Presidenti gjerman uron Sejdiun në përvjetorin e pavarësisë
Një letër urimi i ka dërguar dje Presidenti i Gjermanisë, Horst Kohler, Presidentit kosovar Fatmir Sejdiu, me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Kosovës. “Me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ju shpreh Juve dhe bashkëqytetarëve Tuaj, edhe në emër të bashkëqytetarëve të mi, urimet më të përzemërta. Duke pasur parasysh afrimin e vendit Tuaj me strukturat euro-atlantike, ndërtimi i strukturave funksionale të sundimit të ligjit si dhe i një ekonomie, e cila orientohet drejt së ardhmes dhe do të ketë aftësi konkurruese, ka rëndësi të madhe”, - thuhet në letrën e presidentit gjerman.
“Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, vendi Juaj – së bashku me komunitetin ndërkombëtar - ka bërë përpjekje gjithëpërfshirëse lidhur me zbatimin e reformave. Mund të jeni i sigurt se Gjermania do të vazhdojë t’i japë Republikës së Kosovës përkrahjen e duhur”, - përfundon letra e Presidentit Kohler.
SHBA, arrihet kompromisi për paketën
13 Shkurt 2009