E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harakiri e Çelsit, Arsenali fiton me goleadë në derbi

TIRANE-Tifozët e Arsenalit do ta mbajnë mend gjatë derbin e djeshëm ndaj Çelsit, një sfidë ku "vogëlushët" e Venger mendohej se do ta kishin të pamundur për të marrë 3 pikët. Por, "Topçinjtë" kanë shënuar 5 herë në portën e Petr Çeh, falë një Van Persi në versionin "i çmendur" dhe një pjese të dytë në limitet e perfeksionit. Derbi i Londrës këtë herë ka parë triumfues Arsenalin, që ka fituar 5-3 ndaj bluve të Vilas Boas. Çelsi kaloi dy herë në avantazh në pjesën e parë, por Arsenali ka patur meritën që nuk është dorëzuar edhe pse përballë kishte një ekip të frikshëm në emra. Gjithçka ka qenë e paimagjinueshme në "Stemford Brixh". Çelsi kaloi në avantazh me anë të Frenk Lampard pas krosit të Matës, ndërsa Van Persi barazoi pas një aksioni të bukur të nisur nga Ramsej. Në fundin e pjesës së parë, Xhon Terri shënoi golin e avantazhit duke shtyrë në rrjetë topin e ardhur nga goditja e këndit. Por, në fillimin e pjesës së dytë ishte Andre Santos që barazoi, ndërsa shumë shpejt Uollkot shënoi edhe golin e tretë. Çelsi barazoi 10 minuta para fundit me një gol të bukur të Matës, por një gabim i Territ, që rrëshqiti, i dhuroi Van Persit topin e golit të katërt. Në shtesë, holandezi realizoi sërish me një goditje të fortë në zonë.
Avancon Siti
Mançester Siti ka arritur fitoren e radhës në kampionat, duke e ruajtur të paprekur diferencën prej 5 pikësh me ndjekësit e Mançester Junajtid. Skuadra e Mançinit në fakt ka vuajtur më shumë sesa pritej përballë Ulves, duke u zhbllokuar vetëm në pjesën e dytë. Xheko e Kolarov realizuan dy herë, por kur ndeshja mendohej e mbyllur, Vinsent Kompani shkakton një penallti dhe Hunt shkurton shifrat. Gjithsesi, Adam Xhonson gjeti golin e tretë për Sitin, që në fund triumfoi 3-1.
Junajtid cinik
Një gol i Çikarito Hernandez në fillimin e ndeshjes e ktheu Mançester Junajtid te fitorja, pas disfatës 6-1 në derbi. "Djajtë e Kuq" janë treguar një skuadër tepër cinike, duke qëndruar shumicën e kohës në prapavijë, në mbrojtje të rezultatit. Një taktikë që edhe këtë herë i dha të drejtë Aleks Ferguson, i cili çoi në shtëpi 3 pikët nga një ndeshje shumë e vështirë. Vendasit patën disa mundësi për të realizuar, por janë nxituar shumë përpara portës së De Geas.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›