E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: I turpshëm bashkimi i votave PS-PD për rrëzimin e projektligjit për minatorët



Shaban Sulçe

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka denoncuar bashkimin e votave në Kuvend midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për rrëzimin e projektligjit për statusin e minatorëve, të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Vasili tha se këto dy forcave politike u mungon vullneti për të ndërmarrë një aksion konkret për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie, ndërkohë që i quajti hipokrite qëndrimet e PS-së dhe të PD-së sa herë që kujtohen për minatorët kur ata pësojnë fatkeqësi. “LSI-ja denoncon publikisht edhe veprimin më të fundit të maxhorancës, që rrëzoi, e mbështetur edhe nga deputetë të PS-së, projektligjin e paraqitur nga LSI-ja për Statusin e minatorit, duke dëshmuar qartë se të gjitha përbetimet dhe qarjet e qeveritarëve në familjet e minatorëve në rastet e fatkeqësive të ndodhura, janë një hipokrizi e pastër dhe argumentimi politik antisocial i ministrit të Financave, Bode, kundër këtij projektligji, është provë e qartë se ky ministër dhe maxhoranca e tij janë tërësisht kundër interesave të minatorëve dhe nuk i shqetëson aspak fati i jetës, shëndetit dhe familjeve të tyre. Situata bëhet akoma më dramatike se ndërkohë që maxhoranca rrëzon ligjet që mbështesin minatorët, të tjera viktima ndodhin atje në minierat shqiptare, ku jeta dhe vdekja bashkëjetojnë në çdo çast e ku jo më larg se para dy ditësh një tjetër minator humbi jetën në Minierën e Bulqizës”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Ai shprehu shqetësimin gjithashtu edhe për gjendjen në Minierën e hekur-nikelit në Devoll, të cilën e krahasoi për nga rreziku që paraqet si një “Gërdec i dytë”

Zgjedhjet
Gjatë konferencës për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së u pyet nga gazetarët në lidhje me vonesat në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit dhe rrezikut që mund të shkaktojnë ato për dështimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Vasili tha se LSI-ja prej të paktën 1 viti kishte shprehur shqetësimin ndaj çështjes së kartave, ndërkohë që e akuzoi PS-në dhe PD-në se e injoruan këtë shqetësim, pasi qëllimi i tyre ishte bashkëpunimi për shkatërrimin e Kushtetutës dhe për hartimin e një Kodi problematik. Vasili tha se LSI-ja ka bërë sërish propozime për zgjidhjen e problemit të kartave të identitetit, ndërkohë që konfirmoi qëndrimin e saj për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve. “Ne duam vetëm një gjë, që zgjedhjet të realizohen brenda standardeve dhe do të jemi monitorues shumë seriozë dhe të përgjegjshëm në çdo hap që do të hidhet në këtë drejtim. Përsa u takon mënyrave të zgjidhjeve, i kemi bërë publike dhe në një komunikim me mediat disa ditë më parë, hapat e mënyrat që duhet të ndërmerren që kjo situatë të zgjidhet. Çdo mosmarrje në konsideratë e këtyre rekomandimeve që ne kemi bërë, është një përgjegjësi që bie drejtpërsëdrejti mbi Berishën”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

Berisha

Vasili ka komentuar gjithashtu edhe deklarata e kryeministrit Berisha për ngritjen e një universiteti për mjekësinë, ide të cilën vetë ai ia kishte sugjeruar kryeministrit me anë të një letre dërguar tri vite më parë. “Sigurisht që kam kënaqësinë që dëgjoj të rimerret ideja, por kam dhe një keqardhje të madhe që edhe idetë më të dobishme që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me një sferë kaq delikate, siç është shëndetësia, ku çdo hap i ndërmarrë në kohën e duhur për të përmirësuar organizimin e administrimit universitar të dijeve mjekësore është i mirëpritur, zoti Berisha dhe këtë nismë e vuri, ashtu siç është në zakonin e tij të kahershëm, në funksion të interesave të ngushta të tij dhe të fushatës së partisë së tij. Për fat të keq sot unë e shikoj, në këndvështrimin tim, këtë universitet mjekësor të propozuar nga Berisha, me kaq vite vonesë, kaq të neglizhuar dhe të nëpërkëmbur, si një universitet elektoral. Kjo nuk i bën mirë as shëndetësisë, aq qarqeve akademike që operojnë me shumë dinjitet prej vitesh në shëndetësi, dhe njëkohësisht u tregon profesionistëve të mjekësisë se përpara interesave elektorale Berisha nuk ndalet dhe është i gatshëm të ndërtojë universitete elektorale në vend të universiteteve të vërteta”, - tha Vasili.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›