E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: “Berisha uli 28 milionë dollarë taksa për kazinotë”



Partia Socialiste reagon pas vendimit më të fundit të qeverisë për rishikimin e taksave kombëtare, vendim i cili parashikon uljen e taksave për kazinotë dhe lojërat e fatit. Deputeti socialist Andis Harasani tha se një vendim i tillë favorizon klientelizmin e qeverisë dhe të kryeministrit Berisha, ndërkohë që i kujtoi këtij të fundit qëndrimet e vitit 2005, kur u premtonte shqiptarëve se do të minimizonte numrin e kazinove. Harasani tha se nga ky vendim i qeverisë kazinove u falen rreth 28 milionë dollarë taksa, shumë kjo e cila i mungon buxhetit të shtetit. “Jemi para jush sot jo thjesht për t’i kujtuar shtypit dhe gjithë shqiptarëve se si Berisha dhe Berishët çirreshin para 2005-s duke akuzuar këdo për gjithçka në lidhje me kazinotë, por për të ngritur me shqetësim zërin tonë për vendimin e pastër klientelist të ndërmarrë nga qeveria më datë 25 mars 2009, ku vetëm tre muaj pas hyrjes në fuqi rishikohet ligji ‘Për taksat kombëtare’, por duke prekur vetëm tarifat që duhet të paguajnë subjektet, të cilat operojnë në fushën e lojërave të fatit si përsa u përket licencave, ashtu edhe detyrimeve vjetore ndaj buxhetit të shtetit. Dhe vendimi bëhet pastërtisht klientelist dhe korruptiv kur pasi ngrihen pa asnjë logjikë detyrimet për pothuaj të gjitha, në rastin e kazinove në bregdet detyrimi ulet nga 1 milion dollarë në 300 000 mijë dollarë! Pra më shumë se 70%. Është e papranueshme të mendosh se ky ish-kampion i luftës kundër kazinove, njeriu që premtoi se do të hiqte dhe kazinonë në qendër të kryeqytetit, sot, vetëm 4 vite më vonë, u fal pa asnjë përgjegjësi 28 milionë dollarë pronarëve të ardhshëm të këtyre kazinove në bregdet”, - tha Harasani.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›