E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Qeveria po shton krizën ekonomike në vend duke rritur taksat për bizneset e vogla”

Kreu i PS-së dhe i Bashkisë së Tiranës: “Taksat nuk i rritëm ne, por qeveria e papërgjegjshme”. Rama: “I papranueshëm fakti që bizneset e vogla tatohen njësoj si bizneset e mëdha”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzon qeverinë se është shkaktarja e rritjes së taksave për biznesin e vogël. Rama tha se të tatosh biznesin e vogël njësoj sa biznesin e madh është një shenjë papërgjegjshmërie e qeverisë, e cila me këtë veprim nuk bën gjë tjetër veçse thellon krizën ekonomike në vend dhe shton efektet e krizës ekonomike globale në vend. “Biznesi i vogël sot ballafaqohet, përveç efekteve të krizës, edhe me efektin e një tatimi mbi fitimin, që është një taksë e re, e vendosur nga qeveria shqiptare, që me bilancet e kolauduara të vitit 2008 do të fillojë të prekë xhepat e biznesmenëve të vegjël këtë vit”, - tha Rama. Ai deklaroi se pushteti vendor dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë ndërmarrë asnjë rritje fiskale në drejtim të biznesit të vogël, por se këtë gjë e ka bërë qeveria e papërgjegjshme e kryeministrit Berisha.

Taksat

Kryesocialisti Rama e akuzoi kryeministrin Berisha se shkeli premtimin që u bëri bizneseve të vogla, kur u zotua për përgjysmim të taksave për këtë kategori. Rama tha se Berisha jo vetëm që nuk e bëri një gjë të tillë, por po i takson këto biznese njësoj si bizneset e mëdha me anë të tatimit 10% mbi fitimin. “Ky tatim prek sot biznesin e vogël dhe bën që praktikisht ky biznes të vuajë nga njëra anë efektet e para të një krize që po prek çdo ditë e më gjerë në hapësirën shqiptare, duke u fokusuar pa dyshim te sipërmarrja, pastaj për shkak të sipërmarrjes edhe te familja shqiptare. Nga ana tjetër, duhet të përballet me këtë tatim, i cili është për biznesin e vogël një befasi shumë e papërshtatshme në kohën që vjen. Është koha për të parë se si mbështetet sipërmarrja, se si shteti u qëndron në krahë sipërmarrësve, se si ndihmohen ata që po pësojnë efektet më të rënda të një krize, e cila vjen dallgë-dallgë. Pikërisht në këtë kohë kryeministri dhe qeveria, jo vetëm nuk bëjnë asgjë në drejtimin e duhur, por ecin në drejtim tërësisht të gabuar, duke rritur në mënyrë të papërballueshme barrën për biznesin e vogël dhe sigurisht duke rritur paralelisht edhe malin e akuzave dhe shpifjeve ndaj kundërshtarëve që qeverisin në nivel vendor. Ne duam që sot, i gjithë opinioni publik dhe komuniteti i biznesit, posaçërisht i biznesit të vogël, të njihet me faktin e thjeshtë: Sot biznesi i vogël tatohet njësoj si biznesi i madh”, - tha kryetari i Partisë Socialiste dhe i Bashkisë së Tiranës.

Kriza
Rama tha se qeveria jo vetëm që nuk po ndërmerr ndonjë masë për të mbështetur pushtetin vendor në kushtet e krizës ekonomike, por e akuzon atë si shkaktare të rritjes së taksave për biznesin e vogël. Kreu i PS-së tha se nuk mund të ndodhë më që një qeveri të marrë vendime të tilla të papërgjegjshme dhe aspak transparente. Rama tha se më 28 qershor shqiptarët do t’i japin fund arbitraritetit dhe rrëmujës që ka krijuar qeveria e dështuar e Sali Berishës. “Kemi hyrë në një fazë kur jemi në një kohë krize dhe, nga ana tjetër, duhet t’u themi biznesmenëve të vegjël se përveç krizës, duhet të përballen edhe me këtë masë, e cila vjen drejtpërdrejt në xhepat e tyre, pa asnjë transparencë dhe pa asnjë përgatitje. Mbi të gjitha, pa asnjë kriter të qartë të administrimit të kësaj mase. Kjo është një arsye tjetër pse 28 qershori është një datë shumë e rëndësishme. Kjo është arsyeja pse më 28 qershor na duhet ndryshimi i madh, i cili do t’i japë fund arbitraritetit dhe rrëmujës që Sali Berisha ka futur në të gjithë sektorët e vendit. Ndryshimit që do t’i japë fund masave, vendimeve, ligjeve, pa asnjë transparencë dhe pa asnjë kriter të qartë koordinimi me të gjithë sistemin. Ndryshimi që do t’i japë fund edhe një marrëdhënieje krejtësisht të deformuar mes shtetit dhe individit sipërmarrës”, - tha Rama.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›