E Diel, 1 Nëntor 2026

Prindërit, një mijë lekë në shkollë për fëmijët

Prindërve iu duhet të financojnë në formën e "dhuratës" shkollën ku mësojnë fëmijët e tyre. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar një udhëzim për grumbullimin, ruajtjen dhe përdorimin e të ardhurave nga dhurimet e prindërve të nxënësve. Me këtë udhëzim përcaktohet se çdo prind do të kontribuojë për nevojat e shkollës së fëmijës së tij, jo më shumë se 1 mijë lekë në vit. Gjithashtu janë caktuar edhe mënyra e arkëtimit, ruajtjes dhe përdorimit të tyre, të cilat më parë nuk kanë pasur një procedurë transparente. Përdorimi i parave të mbledhura do të kryhet përmes një komisioni blerjesh të shkollës, i përbërë nga 2-4 mësues, të cilët do të votohen nga këshilli pedagogjik dhe përfaqësuesit e qeverisë së nxënësve. Çdo blerje do të shoqërohet me faturë, që do të ruhet për tre vjet. Çdo material i blerë nga dhurimet e prindërve tani do të raportohet nga drejtoritë arsimore rajonale, të cilat do të njoftojnë zyrtarisht edhe njësitë përkatëse të pushtetit vendor. Mbulimi i nevojave të shkollës erdhi si pasojë e deficiteve të punës së pushtetit vendor, të cilët kanë lënë mangët shkollat në mjete didaktike etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›