E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi te "Vojo Kushi", me kartelë mjekësore

Kandidatët për studentë, që preferojnë sportin, përpos talentin, duhet të jenë edhe njerëz të shëndetshëm. Pa harruar edhe parametrat e tjerë, siç është gjatësia. Por për herë të parë shtohet si kriter këtë vit gjendja shëndetësore. Burime zyrtare nga akademia e edukimit fizik dhe sporteve "Vojo Kushi" saktësojnë se ndër kriteret kryesore do të jetë edhe kartela individuale. Ajo përmban kërkesën për gjashtë vizita dhe kontrolle mjekësore. "Pasi të shkruhen gjeneralitetet nga kandidati për student, kërkohet të plotësohen rezultatet e vizitave që ka kryer maturanti. Ato duhet të jenë të vulosura nga poliklinika apo spitali ku janë kryer vizitat", bëjnë të ditur nga Akademia e Sportit.

Numrin më të madh të pikëve të rinjtë e marrin nga testi special. Por kandidatët për në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve nuk duhet të harrojnë provimet e Maturës Shtetërore. Këto të fundit do të vlejnë 30 për qind në vlerësimin e përgjithshëm, pasi matura jep 90 pikë maksimale për kandidatët. Ndërsa 70 për qind të pikëve ose 210 pikë, ata i marrin nga testimi praktik i profileve. Kjo do të thotë se nëse një kandidat i degës së futbollit merr maksimumin e pikëve gjatë kohës që bën provën në këtë sport, ka probabilitet të lartë për të fituar. Shuma maksimale e pikëve për konkurrim në AEFS, "Vojo Kushi", është e barabartë me 300 pikë, prej të cilave 210 i ka testi special që të rinjtë japin në këtë fakultet.

Në ndryshim nga vitet e tjera, ky test zhvillohet në korrik dhe jo në shtator. Të rinjtë që konkurrojnë në Akademinë e Edukimit Fizik, Arkitekturë dhe Akademinë e Arteve, do zhvillojnë konkursin në gjysmën e dytë të muajit korrik, në datat 16 deri në 30. Drejtuesit universitarë bëjnë të ditur se vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit pas konsultimit me ta. Për sa i përket akademisë së sporteve, "Vojo Kushi", rektori Vesel Rizvanolli shprehet se "për të gjitha degët e këtij universiteti testi special do të jetë në datat 15-20 korrik. Pra direkt pas provimeve të maturës, konkurrentët do të ballafaqohen me testin special.

Ky ndryshim në periudhën e konkurrimit bëhet për arsyen se Ministria e Arsimit do t‘i shpallë gjithë fituesit e shkollave të larta në muajin shtator. Sipas këtij dikasteri, vitet e kaluara ka pasur probleme në regjistrimin e fituesve, duke shkuar afati i regjistrimit të fituesve deri në nëntor apo dhjetor. Pas konsultimesh të gjata mes zyrtarëve të MASH dhe drejtuesve universitarë, është vendosur që konkursi në këto degë nga shtatori të afrohej në korrik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›