E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Qesharake, kjo s’mund të quhet garë

23/02/2012  Zgjedhjet për degën e kryeqytetit, reagon deputeti i PS-së i tërhequr nga kandidimi

Deputeti i Partisë Socialiste Andis Harasani e vlerësoi qesharake garën për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj partie për Tiranën. Kështu, duke reaguar në faqen e tij personale në rrjetin social “Facebook”, Harasani vlerësoi se procesi i zgjedhjeve në Tiranë nuk mund të quhet garë, duke iu referuar dhe deklaratave të bëra nga njëri prej konkurrentëve për të post, Sajmir Tahiri. “Një kandidat i komanduar kërkon shtyrjen e datës së zgjedhjeve për t’i dhënë kohë kandidatit tjetër që të shpalosë platformën. Qesharake! Si mund të quhet garë kjo!” – shkruan Harasani në adresën e tij personale në “Facebook”. Nga ana e tij deputeti Harasani ishte një nga emrat e përfolur për të qenë pjesë e një gare të tillë, por duke iu referuar mënyrës se si po zhvillohej një proces i tillë, Harasani e kushtëzoi hyrjen në garë me zhvillimin e një procesi të rregullt dhe transparent. Madje, si Harasani, ashtu dhe deputeti Ilir Gjoni, një tjetër emër i përfolur për të kandiduar në këtë post, e cilësuan një proces të tillë në shkelje të statutit të PS-së, për shkak se në të përcaktohet se si veprohet në rast të papajtueshmërisë së mandateve. Ndërkohë që dhe në mbledhjen e dy ditëve më parë në kryesinë e PS-së mësohet se anëtarët e kupolës rozë kanë debatuar nëse duhet respektuar apo jo norma statutore, sipas së cilës kryetari i një dege lokale nuk duhet të jetë deputet. Por pas debateve dhe pas ndërhyrjes së Ramës Tirana bën përjashtim si pasojë e rëndësisë dhe peshës së saj elektorale. Në këtë mënyrë, pritet që pas fushatës në terren të dy kandidatëve anëtarët e asamblesë socialistë të Tiranës të zgjedhin drejtuesin e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›