E Diel, 1 Nëntor 2026

Për herë të 4-t ish-komandati i Gardës mbetet jashtë hekurave

23/02/2012  Apeli le në “arrest shtëpie” Ndrea Prendin. Zëvendësohet gruaja e Sollakut. Provat e akuzës

TIRANË- Edhe dje Prokuroria e Tiranës nuk arriti ta fuste në burg Ndrea Prendin, pasi Gjykata e Apelit vendosi ta linte në “arrest shtëpie” ish-Komandantin e Gardës së Republikës. Prokuroria e dërgoi kërkesën në Apel, për të kundërshtuar vendimin masën e sigurisë së dhënë nga gjykata e Tiranës, por edhe Apeli ishte në një mendje me Faktin. Ndërkaq, Gjykata e Apelit miratoi dje kërkesën e palës mbrojtëse për përjashtimin nga trupi gjykues të Zegjine Sollakut dhe u vendos që Agron Papajani do të zëvendësojë anëtaren e dorëhequr. Treshja gjykuese e kryesuar nga Hysni Demiraj rrëzoi për të katërtën herë organin kryesor të akuzës, i cili pretendon se arma e ish Komandantit të Gardës ka vrarë protestuesin Faik Myrtaj më 21 janar të vitit 2011. Në seancën, e cila zgjati për reth 30 minuta organi i akuzës pretendoi se arma, e cila ka vrarë protestuesin Myrtaj i përket ish kreut të Gardës, ndërkohë nga ana e saj pala mbrojtëse i kundërshtoi këto akuza. Trupi gjykues, pasi dëgjoi palët la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa pritet të vendosë Gjykata e Lartë, sepse Prokuroria ka bërë rekurs për çeshtjen. Gjithashtu gjykata vlerësoi të drejtë argumentin e avokatit Genc Gjokutaj, se Zegjine Sollaku, bashkëshortja e ish-Kryeprokurorit Thodhori Sollaku ka papajtueshmëri ligjore. Sipas avokatit të mbrojtes të ish komandanit të Gardës Ndrea Prendi, Sollaku ka papajtueshmëri ligjore që lidhet me detyrën që ka ushtruar më parë bashkëshorti i saj Theodhori Sollaku si Kryeprokuror i Përgjithshëm. Kërkesa ka të bëjë lidhur më një konflikt midis palëve të ndodhur në vitin 2006, ku bashkëshorti i anëtares së trupit gjykues, mbante postin e Kryprokurorit. Avokati ka paraqitur disa gazeta të kohës, ku sipas mbrojtjes pasqyrohen faktet e konfliktit mes Theodhori Sollakut dhe Ndrea Prendit. Ndërkaq, dha dorëheqjen nga çeshtja edhe Dalip Bushi, një tjetër anëtar i trupit gjykues, për shkak të funksionit që kryejnë fëmijët e tij në organin e akuzës.

Akuzat dhe provat e Prokurorisë

Si shtesë në dosjen hetimore ndaj Prendit, dy prokurorët kanë paraqitur dëshminë prej një ore e gjysmë të shefit të Armatimit të Gardës, i cili kishte pranuar se Prendi tërhoqi armën me të cilën u vra Myrtaj. Mark Ndoj, shefi i armatimit në Gardën Republikane i pyetur nga Prokuroria e Tiranës, lidhur me personin që ka përdorur pistoletën nr. P52796Z, ka pranuar se pistoleta tip “Bereta” 9 mm i përket komandantit Ndrea Prendi. Sipas Ndojt, kjo armë është përdorur për disa kohë nga Prendi, madje ajo është tërhequr nga depoja e armatimit nga vetë komandanti, i cili sipas tij ka firmosur në mandatin e daljes dhe hyrjes në depo. Sipas Prokurorisë, për momentin dëshmia e Ndojt është prova e tretë e administruar në dosjen penale, ku komandanti Ndrea Prendi hetohet për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Sipas Prokurorisë, dy provat bindëse që vërtetojnë se autori i dyshuar i vrasjes së protestuesit Faik Myrtaj është komandanti Prendi, janë ekspertiza e ardhur nga FBI, si dhe mandati i marrjes në dorëzim të pistoletës, mandat ky që sipas akuzës është firmosur nga Ndrea Prendi. Prokurorët theksojnë se Prendi ka qëlluar 11 herë me armatimin e tij personal dhe se aty i gjetën 11 gëzhoja. Një prej viktimave e këtyre 11 qitjeve ishte Faik Myrtaj. Por Komandanti i Gardës kishte deklaruar se jo vetëm se nuk kishte qëlluar ndonjëherë, por në momentin kur ka dëgjuar të shtënat ai ndodhej brenda në ndërtesë, pasi ishte dëmtuar nga goditja e një pllake guri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›