E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Qeveria shkel ligjin për buxhetin e shtetit

Partia Socialiste denoncoi dje shkeljen e ligjit të buxhetit të shtetit. Deputeti i kësaj partie, Andis Harasani, tha se vetëm në dy muajt e fundit, deficiti rezulton të jetë 35 milionë dollarë.

Harasani renditi disa të dhëna si tatim fitimi, TVSH-ja, taksat lokale, duke përmendur edhe shifrat e mosrealizimit të tyre. Sipas tij, TVSH, në dy muaj, ka një mosrealizim me 10 milionë USD ose 93 për qind, ndërsa tatim fitimi në dy muaj ka një mosrealizim me 4 milionë USD ose 85 për qind. Ai përfshiu edhe tatimin mbi pasurinë, që në dy muajt e fundit ka një mosrealizim me 4.3 milionë USD ose 27.9 për qind, ndërsa taksat lokale në dy muaj kanë një mosrealizim me 7.3 milionë USD ose 58.3 për qind.

Sa i përket të ardhurave nga institucionet buxhetore për këtë periudhë kohore, ka një mosrealizim me 15 milionë USD. Njëkohësisht ai shprehu shqetësimin e PS-së për rishikimin e ligjit "Për taksat kombëtare", që prek vetëm tarifat që duhet të paguajnë subjektet të cilat operojnë në fushën e lojërave të fatit, si për sa u përket licencave, ashtu edhe detyrimeve vjetore ndaj buxhetit të shtetit. Harasani e cilësoi atë vendim klientelist dhe korruptiv, kur pasi ngrihen pa asnjë logjikë detyrimet për pothuaj të gjitha, në rastin e kazinove në bregdet, detyrimi ulet nga një milionë dollarë në 300000 mijë dollarë, pra më shumë se 70 për qind. Harasani shtoi se Kryeministri u ka falur 28 milionë dollarë pronarëve të ardhshëm të këtyre kazinove në bregdet, pronare, që sipas tij, janë shumë pranë familjes biologjike të Kryeministrit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›