E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Sot hyn në fuqi MSA, ja çfarë përfitojmë

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri me dije dje se në një prill hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Me hyrjen në fuqi të MSA-së, një nga detyrimet është ngritja e strukturave të përbashkëta BE-Shqipëri (Këshilli i Stabilizim-Asocimit, Komiteti i Stabilizim-Asocimit dhe Nën-komitetet), të cilat do të mbikëqyrin zbatimin dhe realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Me skadimin e marrëveshjes së përkohshme, hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Sipas ministres Bregu, hyrja në fuqi e MSA-së është edhe fillimi i një etape të re mes Shqipërisë dhe BE-së. Gjithashtu, Bregu u shpreh se duke filluar që nga një prilli, do të ketë një lëvizje të lirë të mallrave dhe punonjësve që janë të punësuar ligjërisht në vende të BE-së, duke pasur të njëjtat aksese me qytetarët e vendeve të tjera. Bregu gjithashtu shtoi se hyrja në fuqi e MSA-së kërkon edhe ngritje e strukturave të reja me një nivel më të lartë, prandaj janë krijuar 7 nënkomitete dhe grupe pune për të shqyrtuar marrëveshjen. Ndërsa për hyrjen e vendit në NATO, Ministria e Integrimit u shpreh se po plotësohet një ëndërr e shqiptarëve. "Marrëveshja e përkohshme ishte shprehje e përpjekjeve të Shqipërisë për të përmbushur standardet ekonomike dhe për t‘u bërë anëtare me të drejta të plota në Komunitetin Evropian, duke u përpjekur në përmbushjen e kriterit të dytë të Kopenhagënit", theksoi Bregu. Zbatimi i Marrëveshjes së përkohshme është kryer në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe respektimit të preferencave dhënë operatorëve prodhues e tregtarë në import dhe eksport, ashtu edhe në drejtim të zbatimit të ligjit, parandalimit të shkeljeve të legjislacionit doganor dhe dispozitave të Marrëveshjes së përkohshme. Volumi i shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore me Bashkimin Evropian për vitin 2008 ka arritur 388 milionë euro nga 275 milionë euro që ka qenë në vitin 2007. Të dhënat e Ministrisë së Integrimit sqarojnë se eksporti i produkteve bujqësore shqiptare drejt vendeve të BE-së kanë njohur një rritje në masën 50%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, duke arritur në vlerën 46 milionë euro kundrejt 23 milionë eurove të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas ratifikimit të MSA-së nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, MSA është baza kontraktuale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe motori kryesor i reformave në vend; falë hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria do të ketë një sërë përfitimesh, mes të cilave veçohet lëvizja e lirë e mallrave dhe lëvizja e lirë e punëtorëve. MSA parashikon vendosjen e një zone tregtie të lirë mes Komunitetit Evropian dhe Shqipërisë, që do të thotë se palët do të krijojnë një hapësirë të përbashkët ku mallrat, personat, shërbimet dhe kapitalet do të qarkullojnë lirshëm, pa barriera fizike dhe teknike. Me hyrjen në fuqi të MSA-së, palët do të sigurojnë reciprocitet të trajtimit të punonjësve të punësuar në mënyrë të ligjshme në territoret respektive. Bashkëshortet dhe fëmijët rezidentë, në mënyrë të ligjshme të një punonjësi të punësuar ligjërisht në territorin e një shteti anëtar, gëzojnë akses në tregun e punës së shtetit anëtar përkatës, gjatë periudhës së qëndrimit të autorizuar për punësim të punonjësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›