E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mima: E vërteta jonë për taksat e biznesit të vogël

Taksat që po paguan biznesi i vogël, si dhe skema e re e tatimit mbi të ardhurat, vijon të bëhet objekt debati politik mes qeverisë dhe opozitës. Dje, radhën për të dhënë sqarime e kishte zëvendësministri i Financave, Florion Mima, sipas të cilit, qeveria nuk ka rritur taksat, por vetëm ka ndryshuar skemën e deklarimit të tyre në mënyrë që biznesi të mos paguajë më shumë sa i takon. Deklarata e Mimës vjen një ditë pas qëndrimeve të kreut të PS-së, Edi Rama, i cili akuzoi qeverinë se po përdor ndaj biznesit të vogël taksën e sheshtë në një kohë të papërshtatshme. Debati mes palëve vërtitet rreth taksës së sheshtë prej 10 përqindësh që biznesi do të paguajë në fund të tremujorit të parë për vitin 2009 për aktivitetin e vitit 2008. Mima thotë që nuk është e vërtetë ajo që thotë opozita. "Nuk bëhet fjalë për asnjë taksë të re. Kemi thënë dhe sqaruar disa herë më parë se kjo është thjesht një metodë rakordimi për të kaluar nga taksimi i paragjykuar në taksimin real", tha zëvendësministri i Financave. Duke shpjeguar skemën e re të raportimit, Mima tha se bizneset e vogla, të cilat paguajnë kuotat fikse në Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera të vendit, në përfundim të vitit do të duhet të bëjnë rakordimet me pushtetin qendror, duke dorëzuar një deklaratë të të ardhurave dhe shpenzimeve. "Ne presim që në fund të këtij procesi, shumica e bizneseve jo vetëm që nuk duhet të paguajnë taksë shtesë, por në të kundërt, pjesa më e madhe e tyre do të rimbursohen për tatimin e paguar tepër në komuna dhe bashki", theksoi Mima. Lidhur me rimbursimin, shumat do të përballohen nga fondet e pushtetit qendror dhe nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato do të transferohen pranë pushtetit vendor. Më tej, Mima iu rikthye debatit rreth nivelit aktual të taksave që aplikon Bashkia e Tiranës ndaj biznesit të vogël, të cilat, nga viti 2007, deri në 2008-ën janë rritur me një ritëm nga 25-40 për qind. Ministria e Financave pretendon se janë rritur taksa e gjelbër, e cila si një taksë e përkohshme, është miratuar vetëm nga këshilli bashkiak, tarifa e pastrimit, taksa e pasurisë, si dhe është shtuar një taksë e re që do të paguhet nga të gjitha kamionçinat, kamionët, mikrobusët, autobusët etj., me targa jo të Tiranës, por që hyjnë për furnizime ose transport në Tiranë, me një tarifë prej 1 mijë lekësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›