E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, vizitë dyditore në Danimarkë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nisi vizitën zyrtare në Danimarkë. Gjatë qëndrimit në Kopenhagën, Presidenti Topi do të zhvillojë takime me Kryeministrin e Danimarkës, Anders Fogh Rasmusen, si dhe me një sërë personalitetesh të larta të Mbretërisë së Danimarkës. Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe, integrimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi nga vendi ynë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, liberalizimi i vizave me BE-në, zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare, do të jenë disa prej temave ku do të përqendrohen bisedat në këto takime. Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi është takuar me Kryetarin e Parlamentit danez, Thor Pedersen. Zyra e shtypit të presidencës bën me dije se Pedersen i shprehu Presidentit Topi mbështetjen për demokracinë e re, integrimin e plotë, si dhe standardet integruese të Shqipërisë. Kryetari i Parlamentit danez ofroi përvojën parlamentare të Danimarkës për vendin tonë. Gjatë këtij takimi, Pedersen e Topi folën edhe për situatën në rajon dhe në veçanti për Kosovën. Presidenti Topi në këtë takim shoqërohet nga një delegacion i përbërë nga deputetë, Avokati i Popullit, nënkryetari i KLD-së, përfaqësues të Shoqatës Mbarëkombëtare të ish-të burgosurve, të përndjekurve politikë dhe përfaqësues të Dhomës së Tregtisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›