E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefer, letër Bashës: Ejani në NATO

Shqipëria merr zyrtarisht ftesën për anëtarësimin e plotë në NATO. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de hup Shefer (Jaap de Hoop Scheffer), nëpërmjet një letre drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka ftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare të aderojë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Në letrën drejtuar ministrit të Jashtëm, Basha, Jap de hup Shefer, ndër të tjera, shkruan se është i lumtur të informojë se të gjitha palët në Traktatin e Atlantikut të Veriut kanë njoftuar pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikimin e Protokolleve të Aderimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Bruksel më 9 korrik 2008. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s bën me dije se protokollet kanë hyrë në fuqi dhe tashmë pritet vetëm aderimi i Shqipërisë. Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe u ratifikuan nga parlamentet e 26 vendeve që bëjnë pjesë në strukturën euro-atlantike. Depozitimi i instrumenteve të ratifikimit do të kryhet ditën e sotme në një ceremoni të përbashkët të ambasadorëve: atij shqiptar dhe atij kroat në Uashington. Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia u ftuan për të aderuar në NATO në Samitin e një viti më parë në Bukuresht, ndërkohë që këtij misioni ia dolën vetëm dy shtete, Shqipëria dhe Kroacia. Konflikti i emrit të Maqedonisë me Greqinë la jashtë Maqedoninë nga ky proces. "Në emër të të gjitha palëve jam veçanërisht i nderuar t‘i komunikoj qeverisë së Republikës së Shqipërisë ftesën për të aderuar në Traktatin e Atlantikut të Veriut", vijon më tej letra e Shefer për ministrin Basha. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shpreh kënaqësinë në emër të të gjitha shteteve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut. Në vijim të letrës së Jap de hup Shefer, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka udhëzuar ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Uashington, të depozitojë instrumentin e ratifikimit të aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të SHBA-së. Në përputhje me nenin 10 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Republika e Shqipërisë do të bëhet palë në këtë traktat ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Depozitimi i instrumenteve të ratifikimit do të kryhet sot, në një ceremoni të përbashkët të ambasadorit shqiptar dhe atij kroat në Uashington. Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për të aderuar në NATO në samitin e një viti më parë në Bukuresht. Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në korrik të vitit 2008 dhe në një kohë rekord në historinë e Aleancës ato u ratifikuan nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të saj, çka bëri të mundur ftesën zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Kështu, në Samitin e Strasburgut, Shqipëria merr pjesë si anëtare e Aleancës politike dhe ushtarake më të fuqishme që ka njohur historia, duke siguruar të ardhmen, lirinë dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›