E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha e takson biznesin e vogël njësoj me të madhin

Kreu i PS-së, Edi Rama, mohoi kategorikisht se është rritur barra fiskale nga ana e pushtetit vendor mbi sipërmarrjen e vogël, sikundër është shprehur Kryeministri Sali Berisha. Sipas Ramës, biznesi i vogël po përballet me tatimin mbi fitimin, një taksë e re, e vendosur nga qeveria shqiptare që do të prekë direkt të ardhurat e biznesmenëve të vegjël. "Dua të theksoj se, nëse nga njëra anë, Kryeministri Berisha u mori në vitin 2005 votën biznesmenëve të vegjël, duke u premtuar përgjysmim të taksës të tyre, nga ana tjetër, sot, në vitin 2009, ai i takson ata po njësoj, si të gjitha kompanitë e tjera, deri tek ato më të mëdhatë, me 10 për qind tatim mbi fitimin", deklaroi kreu i PS-së. Rama kërkoi që të mos bëhet politikë në kurriz të sipërmarrjes dhe të biznesmenëve të vegjël që janë kontribuuesit e buxheteve vendore. Rama shpjegoi sakaq se qëllimisht, qeveria dhe Kryeministri i ngatërrojnë tarifat e shërbimit në qytet, të cilat nuk janë taksa të vendosura për arsye politikash, por janë tarifa që bazohen te kostot e shërbimeve, si pastrimi, gjelbërimi, ndriçimi, mirëmbajtja e kështu me radhë. "Me taksat që qëllimisht Sali Berisha dhe qeveria përpiqet t‘i fshehë pas një sulmi aspak parimor dhe mbi të gjitha të bazuar në të pavërteta mbi pushtetin vendor", shtoi Rama. Kryesocialisti vuri në dukje se pavarësisht vendimit të pushtetit vendor e posaçërisht në Tiranë, që uli me 30 për qind barrën fiskale, përsëri sot, biznesi i vogël nuk ka më barrën e lehtësuar, por njësoj si çdo biznes tjetër i madh. Për Ramën, në një moment kur vendi ndihet në krizë edhe për shkak të krizës botërore, është koha që të shihet mënyra se si të ndihmohet pushteti vendor me paketa të posaçme, në mënyrë që cilësia e shërbimeve dhe investimet të mos bien. Sipas tij, pikërisht në një kohë të tillë, qeveria, jo vetëm që nuk bën asgjë, por e rëndon më shumë situatën e bizneseve. Megjithëse Kryeministri Berisha nuk është në një mendje me kreun e opozitës. Në mbledhjen e qeverisë javën e shkuar, ai deklaroi se disa bashki dhe komuna të vendit kanë rritur taksat për biznesin e vogël. "Të rrisësh taksat për biznesin e vogël në këtë periudhë, është një masë jashtëzakonisht e dëmshme për ta", tha Kryeministri, duke shtuar se vitin e kaluar, është ndërhyrë në mbrojtje të biznesit të vogël, pasi u shfaq tendenca për të rritur taksën e gjelbërimit, taksën e pastrimit, etj. Dy ditë më parë, ishte sërish kreu i Bashkisë së Tiranës që hodhi poshtë këto pretendime, teksa bisedoi në terren me biznesmenë të vegjël.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›